Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot se Turqia do të luftojë deri në fund kundër të të gjitha formave të sulmeve nga grupet terroriste, si dhe ndaj mbështetësve të tyre, pas sulmit të mbrëmshëm në Stamboll, ku u vranë 39 njerëz nga persona të armatosur.
“Si komb, do të luftojmë deri në fund, jo vetëm kundër sulmeve të armatosura të grupeve terroriste dhe forcave pas tyre, por edhe kundër ekonomive, politikave dhe sulmeve sociale të tyre,” ka thënë Erdogan përmes një komunikate, transmeton Express.
Erdogan ka thënë se këto sulme kanë për cak destabilizimin e Turqisë dhe demoralizimin e qytetarëve të saj.
“Ata po tentojnë të krijojnë kaos, t’i demoralizojnë njerëzit tanë, dhe ta destabilizojnë vendin tanë përmes sulmeve të neveritshme ndaj civilëve….Por ne do ta ruajmë gjakftohtësinë si komb, do të qëndrojmë më afër njëri-tjetrit, dhe kurrë nuk do t’i japin hapësirë lojërave kaq të pista,” ka thënë ai./Express/