Rajon & Botë

Erdogan sulmon Merkelin: Po mbron terroristët

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan ka akuzuar Gjermaninë se po mbron terroristët, në një përplasje në thellim e sipër mes Ankarasë dhe Berlinit.

Duke folur në një konferencë në provincën në Detin e Zi, Rize, Erdogan tha se Turqia i kishte dhënë kancelares Merkel 4500 dosje terroristësh, por nuk kishte marrë përgjigje për asnjë prej tyre.

“Gjermania po ndihmon terroristet. Ne i kemi dhënë kancelares Merkel 4500 dosje, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje për asnjë prej tyre. Por, kur një terrorist arrestohet këtu, ata na thonë, na e dorëzoni ne. Ju nuk i sillni terroristet që keni tek ne, por na kërkoni tuajt. Pra ju keni drejtësi, ne në Turqi, jo”, u shpreh Erdogan, shkruan tch.

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë janë përkeqësuar muajt e fundit pasi Merkel vuri në pikëpyetje angazhimin e Turqisë ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, ndërsa Erdogan, tha se e shkuara naziste e Gjermanisë mund të mos jetë hedhur plotësisht pas shpine.

Berlini, deri më tani, ka refuzuar të ekstradojë ushtarë dhe civilë që Ankaraja i akuzon si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit, vitin e kaluar. Një muaj më parë ndërkohë Turqia arrestoi një grup aktivistësh, përfshirë një shtetas gjerman, në një raprezalje që është dënuar ashpërsisht nga shoqëria civile.

Pas grushtit të dështuar të shtetit Erdogan ka forcuar pushtetin e tij ndërkohë që ka goditur me mijëra vetë që i konsideron mbështetës të klerikut në azil, Fetullah Gylen, që ai e akuzon si arkitekt të përpjekjeve për ta rrëzuar atë nga pushteti.