Rajon & Botë

Erdogan: Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri fetare

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka theksuar se Turqia është e vendosur të japë çdolloj mbështetjeje për Shqipërinë sa herë që duhet, pasi Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Ballkan. “Ne do të shqetësohemi shumë për Ballkanin, nëse Shqipëria është e dobët”, tha ai.

Në një intervistë për “Top Channel”, Erdogan theksoi se Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri fetare dhe kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimaneve dhe të krishterëve.

“Kjo bashkëjetesë në këtë drejtim është një pasuri dhe unë lutem shpesh që kjo të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por ka edhe nga ata që po përpiqen që ta ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur”, tha Erdogan.

Presidenti turk foli edhe për raportet e tij speciale me politikën shqiptare.

“Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, kryeministrit Edi në përpjekjet e tij. Po ashtu edhe Presidentit të zgjedhur. Personalisht jam për solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj që shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre”, vijon ai.

Presidenti turk foli në mënyrë të posaçme për përplasjen e fundit mes Ilir Metës dhe Edi Ramës.

“Të themi të vërtetën, më shqetëson të shohim këtë debat të kohës të fundit mes dy institucioneve të shtetit, mes Presidentit te zgjedhur dhe Kryeministrit”, thotë ai.

Sipas Presidentit Erdogan ka forca që po përpiqen të sjellin përçarje në Shqipëri, por paralajmëroi se Turqia këtë nuk do ta lejojë, duke dhënë edhe arsyet përse.

“Nuk do të përmend emra. Politikanët në Shqipëri ndajnë opinionet dhe këndvështrimet e tyre me ne kur takohemi dhe çfarëdolloj ndihme, politike, tregtare, kulturore, ekonomike, ushtarake ne mund t’jua japim. Jemi të vendosur të japim çdolloj mbështetjeje për Shqipërinë sa herë që duhet, sepse mendojmë që Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Ballkan. Ndryshe ne do të shqetësohemi shumë për Ballkanin, nëse Shqipëria është e dobët”, deklaroi Erdogan.

Presidenti turk shpjegoi vizionin e Turqisë për Ballkanin.

“Ne kemi lidhje të afërta farefisnore dhe gjaku me shqiptarët dhe jo vetëm me shqiptarët, por kudo në Ballkan me të cilët jemi kushërinj, në Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë. Kjo është ajo që shihni ju. Në të gjithë këtë hapësirë ne shohim vetëm të afërm, ndaj nuk duam përçarje”, deklaroi ai.

Presidenti turk shpjegoi pamjet e tij duke i dhënë makinës me Edi Ramën mbi urën e re të Bosforit, për të shpjeguar raportin që ai ka me të.

“Kur martova vajzën ftova shumë miq nga e gjithë bota dhe kjo na lumturoi, që nga kryeministri pakistanez, deri te gruaja e sheikut të Katarit. Mirënjohje Edi Ramës që pranoi ftesën time dhe mori pjesë në ceremoni si inaugurimi i urës”, shtoi ai.

Për Presidentin turk, raporti special me Shqipërinë shpjegohet nga niveli i lartë i investimeve.

“Investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, rreth 3 miliardë euro investime. Nuk e di sa investime keni marrë nga vendet e BE-së, por tonat nuk do të ndalen. Në Shqipëri ne kemi një rreze të gjerë investimesh dhe disa ditë më parë disa sipërmarrës turq biseduan me mua në lidhje me perspektivën e investimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve”, shprehet kreu i shtetit turk.

Turqia dhe Shqipëria, sipas Erdogan, që një vit më parë i mbijetoi një grushti shteti, kanë një problem: Fetullah Gylen.

“Kjo organizatë terroriste mund të bëhet burim kërcënimi për Shqipërinë dhe mund të jetë tepër vonë. Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga ajo që kemi kaluar ne, sepse nëse ia dolën në Turqi, mund të bëjnë të njëjtën në Shqipëri, nesër apo pasnesër. Po ju flas si vëlla”, thotë ai.

Dhe në fund, pati një mesazh për të gjithë shqiptarët. “Ju lutem qëndroni të bashkuar dhe mbajeni Shqipërinë tuajën”, apeloi ai.