Rajon & Botë

Erdogan kritikon ashpër SHBA-në: “ Duhet ta vrasësh dragoin, nuk mund ta lësh gjysmë të gjallë”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje SHBA-ve të “tregojnë qëndrueshmëri” midis fjalëve dhe veprimeve, duke thënë se komisionet speciale të ngritura për të trajtuar çështjet e mprehta midis vendeve do të mbajnë takimin e tyre të parë javën e ardhshme.

“Fjalët dhe veprimet nuk mund të jenë të ndryshme, kjo është e papranueshme. Ne shpresojmë të shohim disa përputhje mes atyre që na thonë se çfarë të bëjmë,” tha Erdogan para një grupi gazetarëve në udhëtimin e tij zyrtar katër ditor në vendet afrikane.

Ai gjithashtu përmendi takimin me sekretarin e Shteteve të Bashkuara, Rex Tillerson, i cili e kishte vizituar Ankarajën javën e kaluar, ku ishin pajtuar që të bashkëpunojnë në zgjidhjen e problemeve që ka shteti turk me disa anëtarë të NATO-s.

“Takimi i parë i komitetit do të mbahet më 8 mars, në të cilën do të diskutohet Siria. Një tjetër takim mes ministrave të jashtëm është planfikiuar të mbahet më 19 mars,” tha Erdogan.

I pyetur rreth spekulimeve mbi një përplasje të mundshme ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara në Manbij të Sirisë, Erdogan deklaroi se Partia e Bashkuar Demokratike e Sirianëve Kurd (PYD) dhe krahu i tij Njësia Mbrojtëse e Popullit (YPG) do të largohen nga ajo zonë.

“Aty nuk ka ndonjë organizim terrorist. Ne gjithmonë kemi qenë mbrojtës të Manbijit dhe duam që këtë rajon t’ua kthejmë pronarëve të vërtetë: Arabëve. Unë ia kam thënë qëndrimin tonë Tillersonit.”

“Duhet të vrasësh dragoin, nuk mund ta lësh gjysmë të gjallë. Në një apo mënyrë tjetër, kjo çështje do të përfundojë,” tha Erdogan.

Ai gjithashtu tha se PYD dhe YPG kanë humbur totalisht në Afrin nga ushtria turke dhe Ushtria e Lirë Siriane (FSA)./Periskopi/