Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka siguruar që Turqia do të vazhdojë t’i përmbahet rregullave të ekonomisë së tregut të lirë dhe nuk do të ketë kufizime mbi rrjedhën e kapitalit jashtë vendit, duke sqaruar kritikën e tij të mëparshme të “disa biznesmenëve në Turqi” për “lëvizjen e pasurive të tyre jashtë vendit”.
“Nuk kam asnjë udhëzim për kufizimin e flukseve të kapitalit”, tha Erdogan në një takim në Ankara më 4 dhjetor.
“Turqia është e lidhur me një ekonomi të tregut të lirë. Secili në Turqi ka të drejtën të transferojë para jashtë vendit që nga viti 1989 dhe kjo e drejtë është në fuqi edhe sot,” tha ai, raporton “Hurriyet Daily News”, transmeton Periskopi.
Në një tubim në qytetin juglindor të Musit, presidenti turk kishte thënë se ai posedon informata se disa njerëz të biznesit kishin bërë përpjekje për të lëvizur pasuritë e tyre jashtë vendit dhe u kërkoi anëtarëve të kabinetit të merreshin me këtë çështje.
Erdogan më vonë tha se fjalët e tij ishin “keqinterpretuar”, duke nënvizuar se ai i ishte referuar një grupi të vogël biznesmenësh që synonin të lëviznin pasuritë e tyre, sepse nuk kishin besim në gjendjen e ekonomisë turke.
“Ne jemi krenar për investimet e bëra nga njerëzit tanë të biznesit kur i shohim ato në vendet ku vizitojmë. Të gjitha kompanitë – vendore dhe të huaja – vazhdojnë operacionet e tyre në integritet me sistemin financiar botëror”, theksoi Erdogan.
“Ne nuk mund të themi një fjalë kundër atyre që lëvizin burime jashtë vendit për investime, duke kërkuar eksport ose tregti,” shtoi ai.
Erdogan përsëriti thirrjet e tij ndaj biznesmenëve turq për të adoptuar një “qëndrim kombëtar” në një kohë kur Turqia po kalon “ditë të vështira dhe presione ekonomike”.
Erdogan gjithashtu deklaroi se njerëzit të lidhur me Fethullah Gylen, të cilët kanë zhvendosur burimet e tyre nga Turqia jashtë vendit “janë tradhtarë”./Periskopi/