Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, VladimirPutin deklaruan se do të bashkëpunonin për dhënien fund të konfliktit sirian, se referendumi kurd në Irak nuk kishte legjitimitet dhe se mbështesin integritetin territorial të Irakut, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).
“Për fat të keq, rajoni ynë po bëhet shumë më i brishtë në periudhën e fundit. Referendumi kurd nuk ka legjitimitet nga pikëpamja e Kushtetutës së Irakut dhe ligjit ndërkombëtar. Pavarësisht të gjitha vërejtjeve miqësore, administrata rajonale ka bërë një gabim të madh duke organizuar referendumin”, deklaroi Erdogan në rezidencën presidenciale në Ankara, ku zhvilloi një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus.
“Si Turqia ashtu edhe Rusia, kemi konfirmuar edhe një herë vendosmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të ruajtur vullnetin tonë të përbashkët që konflikti i Sirisë të zgjidhet me rrugë politike”, theksoi Erdogan.
“Ne jemi dakord për integritetin territorial të Irakut dhe edhe të Sirisë”, shtoi ai.
”Me krijimin e zonave jokonfliktuale në Siri i kemi dhënë një hov të rëndësishëm procesit të Gjenevës”, deklaroi presidenti rus, Putin.
”Me iniciativën dhe vullnetin e presidentit Erdogan kemi arritur një sukses të rëndësishëm”, theksoi ai.