Rajon & Botë

Erdoğan bisedë telefonike me kryeministrin e Irakut, në fokus referendumi kurd

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, në të cilin, ndër të tjerash, është diskutuar në lidhje me referendumin për pavarësi të qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të siguruara nga burime presidenciale, krahas referendumit, në fokus të bisedës telefonike kanë qenë edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Gjatë bisedës është theksuar se këmbëngulja për mbajtjen e referendumit nga qeveria rajonale kurde do të rrisë tensionet në rajon, duke u theksuar nevoja për ruajtjen e integritetit territorial të Irakut.

Burimet shtuan se dy liderët kanë rënë dakord se vendimi i Gjykatës së Lartë Federale të Irakut për pezullimin e referendumit ka qenë i qëlluar.

Në bisedë, dy liderët po ashtu kanë diskutuar edhe mbi luftën kundër organizatave terroriste, si PKK dhe DEASH.

Vendimi për mbajtjen e referendumit më 25 shtator u shpall nga kryetari i qeverisë rajonale kurde në Irak, Mesut Barzani, pas një mbledhjeje të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor.

Ndërkaq, pas shpalljes së referendumit, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, deklaroi se referendumi “shkel kushtetutën dhe nuk do ta njohin rezultatin e tij”. Edhe Kuvendi i Irakut ka hedhur poshtë referendumin kurd përmes një votimi.

Turqia gjithashtu e hedh poshtë atë, duke thënë se stabiliteti i rajonit varet nga uniteti i Irakut dhe nga ruajtja e integritetit territorial të tij.

Qeveria rajonale po ashtu nuk ka hasur as në mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për referendumin. Barzani më herët deklaroi se vota “Po” në referendum nuk do të thotë shpallje e pavarësisë, por do të çojë në negociata me Bagdadin zyrtar.