Në media u raportua për një takim të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj me zyrtarë të VV-së.
Sipas raportimeve, takimi u zhvillua në kuadër të diskutimeve që këto dy parti të hyjnë në koalicion qeverisës, shkruan lajmi.net.
Mirëpo, të njëjtat janë demantuar nga zyrtarë të Nismës Socialdemokrate.
Deputeti i Nismës, Endrit Shala, ka thënë për lajmi.net se raportime të tilla janë gënjeshtra, dhe nuk ka asgjë të vërtetë në këtë rrafsh.
“Nuk janë të vërteta këto raportime. Kryetari Limaj ka qenë në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Joseph Borrell bashkë me Kurtin e Mustafën, dhe nuk ka pasur ndonjë takim tjetër”, ka thënë Shala i cili aktualisht është ministër në detyrë i Tregtisë.
Madje në momentin kur Shala ka demantuar raportimet në fjalë, ai ka thënë se është bashkë me kryetarin Limaj, dhe se pretendime të tilla nuk janë të vërteta.
Ndryshe, në bazë të asaj që ishte raportuar, u tha se Limaj është parë të hynte në zyret e VV-së bashkë me deputetin Xhelal Sveçla, gjithnjë në kuadër të bisedimeve për koalicion.