Albin Kurti dhe Isa Mustafa edhe të martën për rreth dy orë zhvilluan një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, mirëpo edhe nga ky takim dolën pa marrëveshje si edhe nga takimet e shumta të zhvilluara më parë.
Ende pa u formuar i ashtuquajturi “Koalicion i shpresës” Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhanë sinjale të fuqishme mbrëmjen e së martës se shpresat e rreth 500 mijë kosovarëve që votuan për këto dy parti janë drejt shuarjes. LDK-ja dhe LVV-ja as me ndihmën e ambasadorëve të QUINT-it nuk arritën t’i kapërcejnë dallimet e tyre.
As pas rreth katër muajsh bisedime e as në praninë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk arritën të gjenin rrugën e zgjidhjes për formimin e koalicionit bashkëqeverisës. Kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i LVV-së Albin Kurti të martën për rreth dy orë zhvilluan një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, mirëpo edhe nga ky takim dolën pa marrëveshje.
Me këtë rast Isa Mustafa deklaroi se partia e tij nuk lëshon kërkesën e tyre për kreun e Kuvendit të Kosovës, teksa nga Lëvizja Vetëvendosje insistimin e LDK-së për këtë pozitë e quajtën tallje me Kuvendin e Kosovës.
Në ndërkohë dje përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it para takimit me LDK-në dhe me Vetëvendosjen dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se assesi nuk do të ndërmjetësojnë në formimin e qeverisë së vendit, pasi që, siç thanë ata, një gjë e tillë u takon qytetarëve të Kosovës. Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me LDK-në dhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it deklaroi se nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm, pavarësisht asaj që interesimi dhe gatishmëria ishte e madhe.
“Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime ka qenë shumë e madhe. Na ka ngelur vetëm një javë kohë. Pa rezerva dhe me punë të palodhshme kam qenë i hapur për marrëveshje, por nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Për koalicion afrimi duhet të jetë i dyanshëm”, është shprehur Kurti para medieve.
Shtetet e QUINT-it: Nuk ndërmjetësojmë në formimin e qeverisë
Ambasadori i Francës, i Gjermanisë, i Italisë, i Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, të martën njëzëri theksuan se assesi nuk do të ndërmjetësojnë në procesin e formimit të qeverisë, pasi që, sipas tyre, kjo gjë u takon udhëheqësve të Kosovës dhe popullit të saj.
“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti ose ndonjë kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës dhe për vetë Kosovën është vetëm juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit politikë në Kosovë të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorëve.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e shteteve të QUINIT-it në takimin e mbajtur dje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me Lëvizjen Vetëvendosje thanë se vetëm dëgjuan të dyja palët, por nuk i këshilluan ata.
Me këtë rast ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, para gazetarëve tha se ai edhe ambasada të cilën e përfaqëson nuk dhanë këshilla, por që do ta dëgjojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Ne assesi nuk japim këshilla, do t’i dëgjojmë qytetarët e Kosovës”, theksoi Abott. Në anën tjetër, ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Held, deklaroi se në këtë takim ishin vetëm për të dëgjuar.
Insistimi i LDK-së në pozitën e kryeparlamentarit
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa pas takimit të tij prej 4 orëve me Albin Kurtin e LVV-së e ka konfirmuar dështimin e tentativës së radhës për formimin e qeverisë.
Mustafa e quajti të arsyeshme dhe të balancuar kërkesën e LDK-së, të ofruar ditë më parë për LVV-në, ku kërkon dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Ne biseduam me LVV-në për mundësinë e një koalicioni qeverisës. Informuam edhe ambasadorët e QUINT-it sepse ata kishin për qëllim të vijnë të informohen e jo ndërmjetësimin dhe ndikimin në procesin e marrëveshjes. Si LDK jemi të bindur se zgjidhja që e kemi ofruar së fundmi i kontribuon marrëveshjes qeverisëse, që balancon mbi suazat e votave dhe besimit të qytetarëve”, theksoi Mustafa.
Kësisoj ai ritheksoi se kjo mbetet oferta e vetme për LVV-në, të cilën kjo kjo sapo ta pranojë do të arrihet koalicioni bashkëqeverisës.
LVV-ja konfirmon mosarritjen e marrëveshjes, thotë se LDK-ja po tallet me Kuvendin
Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit LDK – LVV me shtetet e QUINT-it, theksoi se marrëveshja mes dy partive nuk është arritur për shkak të insistimit të LDK-së në postin e kryeparlamentarit.
Haxhiu kësisoj tha se partia e saj nuk e ka pranuar ofertën e LDK-së, pasi ajo sipas tyre paraqet talljen e kësaj partie me Kuvendin e Kosovës.
“Natyrisht që do të doja të them se marrëveshja është finalizuar, por nuk mund ta them këtë gjë, sepse, siç e dini, LDK-ja po insiston në propozimin e saj të datës 8 janar. Ne kemi thënë që kemi pasur përpjekje të vazhdueshme për ta arritur koalicionin, por për LDK-në është shumë i rëndësishëm posti i presidentit. Me ketë qasje mendoj që nuk po ka vullnet të bashkëpunojmë. Ne nuk kemi pranuar propozimin e tyre sepse kjo është përmbysje e vullnetit të 75 deputetëve dhe është tallje me Kuvendin”, ka thënë Haxhiu.
Ndonëse u shpreh skeptike për epilogun e zhvillimeve me LDK-në, Haxhiu theksoi se bisedimet mund të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, por që nuk egziston garanci për lidhjen e koalicionit.
“Shtetet e QUINT-it i kemi njoftuar për qëndrimet tona. E kemi parë të arsyeshme që t’ua japim një pasqyrë të qartë atyre të gjendjet së deritanishme. Nuk mund të them që takimet tona kanë përfunduar, sepse kemi edhe një javë kohë për të finalizuar marrëveshjen, por unë nuk mund të jap garanci për formimin e koalicionit, mirëpo mund të garantoj për vullnetin e LVV-së për këtë proces”, ka thënë më tutje ajo.
Mushkolaj: LDK-ja e LVV-ja po tentojnë t’i ikin përgjegjësisë për ngërçin e krijuar
Ndonëse e ka quajtur korrekt vendimin e shteteve të QUINT-it për mospërfshirje në krijimin e qeverisë së re, analisti Imer Mushkolaj ka thënë për gazeten Zëri se Kosova fatkeqësisht vitet e fundit nuk ka zhvilluar asnjë proces pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Duke u nisur nga kjo, Mushkolaj ka theksuar se duke i ftuar shtetet e QUINT-it për informim LDK-ja dhe LVV-ja po kërkojnë që përgjegjësinë e tyre për formimin e qeverisë ta bartin edhe te këto shtete. “Me këtë logjikë kam përshtypjen se edhe LDK-ja dhe LVV-ja po kërkojnë që përgjegjësinë e tyre për mosarritjen e koalicionit ta marrin edhe pjesëmarrësit ndërkombëtarë e jo t’u mbetet vetëm këtyre dy partive. Qëndrimi i QUINT-it ishte i drejtë dhe u nevojitet partive ta gjejnë një zgjidhje për ngërçin që e kanë krijuar vetë”.
Ndërkohë, sipas Mushkolajt, dallimet e LDK-së dhe të LVV-së po thellohen dita-ditës, por që të dyja partitë po tentojnë t’i ikin përgjegjësisë së tyre për krijimin e qeverisë së re dhe për ngërçin e krijuar në vend.
“Duket absurde që LDK-ja dhe LVV-ja po i vazhdojnë takimet, ndërsa jozyrtarisht po thonë se jemi afruar, kurse zyrtarisht po dalin e po thonë se nuk lëshojmë pe prej qëndrimeve. Kërkohet kompromis i dyanshëm, por po krijohet përshtypja që asnjëra nga partitë nuk po e merr përgjegjësinë e dështimit të negociatave, sepse pastaj do të konsiderohej si përgjegjëse për dështimin. Po të ishte zgjidhja afër, atëherë ata thjesht do të dilnin e të thoshin se zgjidhja është afër, por këto deklarata që po përsëriten janë sinjal i qartë se zgjidhja nuk është afër”, ka theksuar ai.