Arsim & Kulturë

“Emigrimi i parregullt”, Robert Bosch mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB (Video)

Bashkimi Evropian, së fundmi ka filluar fushatën në Kosovë të programit kundër emigrimit të parregullt. Ish- ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, tani ekspert i çështjeve të emigrimit në këtë program të BE-së, Robert Bosch, mbajti një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB, ku i njoftoi ata me pasojat e emigrimit të parregullt.

“Në përgjithësi vendet e Ballkanit, për dallim nga Siria dhe Irani, janë vende të sigurta. Vende të sigurta nënkupton se nëse kërkon azil në ndonjë nga shtetet e BE-së, ju nuk mund të qëndroni dhe do të ktheheni. Ju nuk do të merrni asgjë”, tha Bosch, duke shtuar se nëse emri i juaj futet në listat e atyre që kanë emigruar ilegalisht, edhe nëse do të ndodh liberalizimi i vizave, e keni të ndalur të udhëtoni në vendet e BE-së edhe për pesë vitet e ardhshme.

Ai tha se tani në disa shtete të BE-së, specifikisht në Francë dhe Gjermani, tema për emigrimin është në agjenda të larta, ku çdo herë po bëhet më e vështirë se ç’ka qenë më parë.

“Ideja e këtij programi është që t’ju këshillojmë që të mos provoni të emigroni ilegalisht. Diçka tjetër që ky program trajton është që t’ju informojë se nuk është gjithçka mirë ne vendet e BE-së. Ju mendoni se atje, të ardhurat tuaja janë të larta, por mos harroni se edhe jeta është shumë e shtrenjtë.

Dy javë më parë isha në Cyrih. Ishte ekstremisht shtrenjtë. Një vend shumë i bukur, por çmimet e shtrenjta. Isha me gruan dhe në një kafe, mu desh të paguaj 6.5 euro vetëm për një capuchino. Çdo gjë është shumë e shtrenjtë atje. Nëse merrni një banesë modeste, ju duhet të paguani prej 500-800 euro në muaj. Në Kosovë mund të mbijetoni me pak të ardhura, por atje, ju duhet të keni shumë të ardhura që të mbijetoni”, vlerësoi ish-ambasadori Robert Bosch.

Ai foli edhe për mundësitë legale që vendet e BE-së ofrojnë për të punuar atje, përmes vizave të punës.
Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, ish-ambasadori Bosch tha se, edhe pas liberalizimit, ata që udhëtojnë në vendet e BE-së kanë mundësi të rrinë 90 ditë si dhe nuk kanë të drejtë të punojnë, pasi që kjo sipas ish-ambasadorit, është ilegale.

Në kuadër të kësaj ligjërate u shfaqë në ekran edhe një spot publicitar kundër emigrimit të parregullt si dhe pat një debat, ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj eksperti i çështjeve të emigrimit në programin e BE-së në Kosovë, Robert Bosch.

Ky program për emigrimin të parregullt që është projekt i BE-së në Kosovë, ka filluar fushatwn dje. Këtë kampanjë mund ta gjeni në facebook ‘Myplace_ourhome_kosovo”, pjesë e së cilës mund të jenë edhe të gjithë ata që duan, vetëm të dërgojnë një video me temën se çka u pëlqen në Kosovë. /GazetaKNN