Ish-ministri i Ekonomisë së presidentit François Hollande pritet të garojë si një kandidat i pavarur.
Kandidimi i tij pritet të shqetësojë rivalët republikanë, të cilët synojnë të zgjidhen sipas sistemit amerikan të “primareve” duke nisur nga e diela.
Më herët, pretendenti Alain Juppe akuzoi Macronin se ka tradhtuar presidentin Hollande, duke shtuar se i kishte “ngulur thikën pas shpine” atij.
Ish-ministri i Ekonomisë ka qenë dikur “i privilegjuari” i presidentit, ndërkohë që dha dorëheqjen nga qeveria socialiste jopopullore në gusht, për shkak të pakënaqësive në parti me ambiciet e tij politike.
Hollande ende nuk e ka konfirmuar nëse do të garojë për t’u rizgjedhur, një vendim që pritet ta marrë në javët në vijim.
Ai është presidenti më pak popullor në vend, krahasuar me cilindo prej presidentëve francezë të pasluftës. Macron, i cili nuk është zgjedhur kurrë, i dha fund spekulimeve gjatë një konference për shtyp në një periferi të Parisit.
Ai nuk do të garojë për president nën siglën e Partisë Socialiste, por si kreu i lëvizjes së qendrës “En Marche”, të krijuar prej tij në prill të këtij viti me synimin për të promovuar “idetë e reja…as të së djathtës, as të së majtës”.
Lëvizja e tij numëron tashmë rreth 97 mijë anëtarë, ndërsa ka marrë thuajse 2.7 milionë euro donacione.
Kandidimi presidencial i tij thuhet se synon të shfrytëzojë përçarjet e thella mes së majtës franceze, ndërsa një sondazh i fundit tregon se 38 përqind e francezëve besojnë se Macron do të ishte një president i mirë.