Zafir Berisha tash edhe zyrtarisht është eliminuar nga gara për kryetar të Prizrenit.
Sot KQZ mori vendim që Berishën ta decertifikojë nga kandidatura pasi që në vitin 2015 ishte dënuar me një gjobë prej 140 eurosh për kyçje ilegale të rrymës.
Por, Berisha, deputet i Nismës thotë se e di arsyen e eliminimit të tij nga gara për kryetar.
Ai thotë se kjo është bërë në shenjë hakmarrje ndaj tij pse nuk ka votuar për Qeverinë Haradinaj më 9 shtator nga Kuvendi i Kosovës.
Madje ai thotë se nëse do të ishte zbatuar ligji sikurse tani atëherë nuk do të mund të kandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare.
Berisha tha se do të ankohet edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të KQZ-së.
“Vendimi i KQZ-së ndaj meje është puro politik nga ‘Klani pronto’. Decertifikimi im nga gara është edhe një hakmarrje për shkak të votës time kundër ‘Qeverisë Haradinaj’. Nëse po u dashka me u zbatu ligji, pse nuk e zbatoi Valdete Daka para tre muajsh kundër meje për zgjedhjet parlamentare. Vendimi bazohet për një vepër me gjobë 140 euro për rikyçje ilegale në restaurantin ‘Kështjella’ në vitin 2015. Unë do të parashtroj ankesë në PZAP. Si do që të jetë me Zafën pa Zafen, PDK do t’i humb zgjedhjet në Prizren”, tha Berisha për KosovaPress.
Ai pasi mori lajmin për vendimin e KQZ-së ka ardhur nga Prizreni në selinë e Nismës në prishtinë ku Kryesia e kësaj partie janë mbledhur për të diskutuar vendimin e KQZ-së dhe hapat që do të ndërrmarrin.
Por vendimi i KQZ-së i marr sot ku u decertifikuan 86 kandidatë për zgjedhjet lokale është mirëpritur nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Hulumtuesi i lartë në KDI Albert Krasniqi tha për KosovaPress se ligji për zgjedhjet e përgjithshme në nenin 29 parasheh që personat të cilët janë dënuar për vepër penale në tre vjetët e fundit të mos mund të certifikohen si kandidatë për të garuar në zgjedhje.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, por as në tetë vitet e fundit kur është miratuar ligji për Zgjedhjet e përgjithshme, KQZ-ja asnjëherë nuk ka bërë verifikime për të parë nëse këta kandidatë janë duke i përmbushur këto kritere, por vetëm në deklarimet e kandidatëve, të cilët me rastin e plotësimit të formularit për kandidim kanë deklaruar që nuk kanë vepra penale në tri vitet e fundit.
Sipas Krasniqit ky është një vendim i drejtë për shkak se qytetarëve duhet t’iu ofrohen personat të cilët e respektojnë sundimin e ligjit dhe nuk i ikin çfarëdo problemi që kanë pasur në të kaluarën.
Ai tha se arsye pse KQZ nuk ka vepruar njëjtë edhe ndaj kandidatëve për deputetë të Kuvendit është se nuk ka bërë verifikime me Gjykatën për veprat penale, por është zbatuar vetëm në atë se çfarë kanë deklaruar kandidatët.
“Tash e mas ka filluar të zbatohet ky standard dhe KQZ ka vendosur që ta zbatojnë ligjin, sepse deri sot nuk është zbatuar ligji dhe këta kandidatë kanë garuar. Ka qenë e vështirë edhe për publikun dhe për neve si organizata që t’i identifikojmë këta persona… Përkundër që ne kemi pasur kampanja të pastrohen listat të jenë të pastra dhe kandidatët të cilët kanë vepra penale të mos mund të garojnë në zgjedhje… Tani është vështirë pak që KQZ të kthehet në mënyrë retroaktive dhe t’iu marr mandatin atyre të cilët janë certifikuar, për shkak se humbja e mandatit ka procedura tjera… dhe është vështirë që t’u marr mandatin këtyre personave aq më tepër kur ka qenë gabim i KQZ-së në fillim kur i ka certifikuar këta kandidatë(Zafir Berisha)”, theksoi Krasniqi.
Megjithatë Krasniqi i KDI-së thotë se në parim është një vendim i padrejtë për shkak se barazohen kandidatët të cilët kanë vepra të lehta penale me ata të rënda, por sipas tij ligji është i qartë dhe se sanksionin të gjithë ata që kanë kryer vepra penale pa përjashtim.
Në dukje është një veprim i padrejtë për shkak se barazohen edhe ata kandidatë të cilët kanë pasur vepra të lehta, si mos pagim të gjobave apo veprime të tjera me persona të tjerë të cilët janë gjendur vepra kriminale, korrupsion ose në vepra më të rënda. Mirëpo, ligji është i qartë në këtë pikë dhe sanksionon të gjithë ata të cilët kanë kryer vepër penale pa përjashtim. Dhe kështu, KQZ është gjendur në një situatë ku është dashur të marr një vendim që për mendimin tonë është i drejtë dhe është zbatim I ligjit”, theksoi Krasniqi.
Kandidatë të decertifikuar më së shumti janë nga AAK, gjithsej 17, 14 nga PDK-ja, LDK-ja 6, Vetëvendosje 6, Nisma nëntë, etj./kp