Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE-ja kanë njohur tashmë legjitimitetin e shumicës së re parlamentare dhe faktin se përbëjnë opozitë.
Sipas ekspertëve një gjë e tillë u dëshmua edhe nga deklarata e njërit nga funksionarët e lartë të partisë Antonio Milloshovski, i cili nga shumica e re parlamentare kërkoi datën për zgjedhjet lokale. Madje sipas analistit Petar Arsovski VMRO-së aktualisht i konvenon të jetë opozitë konstruktive.
“Duke pasur parasysh se faktori ndërkombëtar fuqimisht u radhit në anën e transferimit të qetë të pushtetit, mendoj se VMRO – DPMNE nuk ka zgjidhje tjetër dhe mendoj se VMRO – DPMNE duhet të përqendrohet tek pushteti brenda partisë dhe të pajtohet me fatin që të jetë opozitë. Në këtë drejtim duhet edhe të kuptohet deklarata e Milloshovskit dhe mendoj se ngadalë edhe VMRO – DPMNE do ta kupton se është më mirë të jenë opozitë e fortë konstruktive, diçka që i konvenon për momentin”, tha analisti Petar Arsovski.
Profesori Mersim Maksuti nga ana tjetër vlerëson se VMRO-ja është e ndërgjegjshme tashmë se pavarësisht nëse Ivanov do të japë ose jo mandatin shumica do ta votojë qeverinë e re.
“Po presim edhe ca ditë i kanë mbetur për dhënien e mandatit si e drejt e tij dhe kompetencë teknike, që ta ushtrojë këtë. Në anën e kundërt nëse nuk e jep, atëherë parlamenti si institucion krejtësisht sovran dhe legjitimi të shkoj drejtpërsëdrejti në qeveri të re dhe kjo me të gjitha gjasat si duket është një fakt i ri politik i pranuar edhe nga ana e VMRO-së, e cila tashmë e ndjen veten se shkon drejt opozitës në këtë vend”, tha ai.
Socialdemokratët sot përsëritën qëndrimin se kreu i shtetit George Ivanov duhet menjëherë Zoran Zaevit t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re.
Nga LSDM-ja bënë të ditur se ka program të qeverisë reformatore në të cilën garantohet karakteri unitar i shtetit. Por nga VMRO DPMNE-ja u kundërpërgjigjën se kryeparlamentari Talat Xhaferi ka filluar të zbatojë në praktikë dygjuhësinë, ndërsa theksuan se mbajtja e seancave në Kuvend në gjuhën shqipe është kundër-kushtetuese./Alsat M/