Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka uruar përmes një statusi në Facebook për 60-vjetorin e krijimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Gjatë kësaj periudhe TKOB, ka qenë institucioni më i komentuar dhe në qendër të vëmendjes pas ndryshimit të drejtorit, (kujtojmë që në vend të Ilir Kernit u zgjodh Zana Çela). Rama e quan këtë periudhë të Teatrit si rininë e dytë të tij dhe shprehet se qeveria do të merret me rindërtimit të infrastrukturës krejt të degraduar të këtij teatri si pjesë e rilindjes tërësore të tij.
“Nesër mbushen 60 vjet nga krijimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. 60 vite më parë, ishte një strehë që shteti u siguroi artistëve lirikë, balerinëve dhe instrumentistëve, si pjesë e një koncepti urban të shenjuar nga ideologjia. Sot, me projektin e rindërtimit të infrastrukturës krejt të degraduar të këtij teatri si pjesë e rilindjes tërësore të tij, shteti synon të jetë në lartësinë e dinjitetit që imponojnë talentet e mëdhenj të muzikës lirike shqiptare; nëpër skenat prestigjoze të botës dhe gjithashtu nëpër klasat ku po formësohen filizat e Gjeneratës Tjetër.
Gëzuar 60 vjetorin TOB dhe rininë tënde të dytë!,”-përfundon postimi i Kryeministrit për këtë institucion.
