Mësimdhënësit e shkollës fillore “7Marsi” në Kalabri të Prishtinës janë bërë gati që të protestojnë në shenjë revolte për therjen me thikë të koleges së tyre.
“Edhe unë jam Vlorë” shkruhet në maicat që kanë veshur kolegët e mësimdhënëses Vlorë Paci që u therr tre herë me thikë nga një nënë në sy të fëmijëve të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës kur nëna e njërit prej nxënësve shkoi në klasën ku ishte mësuesja-edukatore dhe therri me thikë 49 vjeçaren.
Me këtë rast ka ndërhyrë Policia e Kosovës për çka ka arrestuar 38 vjeçare.
Ndryshe protesta e kolegëve të mësueses Paci është mbështetur edhe nga SBASHK.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se medoemos që do ta përkrahin këtë protestë dhe se kjo është edhe për të shprehur shqetësimin e tyre se shkollat janë bërë të pasigurta.
“Me siguri dikush nga stafi ynë do t’i bashkëngjitet. E përkrahim këtë protestë, sepse po shihet se edhe ambientet shkollore nuk janë më të sigurta dhe e keqja e kësaj është se po janë vazhdimisht të rrezikuara edhe nxënësit, por edhe mësimdhënësit gjë që institucionet në të ardhmen ish dashur të bëjnë një zgjidhje që të dy palët të ndihen të sigurt nga kërcënimet dhe sulmet që vijnë nga jashtë”, tha Jasharaj.