Aktuale

Edhe qyteti i ndarë proteston për lirimin e Ramushit

Me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, qindra qytetarë të Mitrovicës kanë protestuar sot te sheshi ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, duke kërkuar lirimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, ku po mbahet në paraburgim sipas një fletarresti të Serbisë nga viti 2014. Protestuesit kanë bartur pankarta me mbishkrimet ‘Kriminelët kërkoni në Serbi’, ‘Haradinaj është çlirimtar’, ‘Mos e fyeni Kosovën’ dhe të tjera.

Esat Peci, kryetar i AAK-së në Mitrovicë, tha se drejtësia ndërkombëtare duhet t’i ndjek kriminelët e vërtetë, e jo t’i burgosë ata që luftuan për liri duke mbrojtur me gjak popullin e vet.

 

“As Ramush Haradinaj, e as lufta e UÇK-së nuk janë kriminale, ata kanë kryer një detyrë të shenjtë, kanë luftuar për liri”, ka thënë Peci.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, theksoi se Ramush Haradinaj i cili ka dhënë gjithçka për këtë vend, duke përfshirë edhe anëtarët e familjes, po mbahet padrejtësisht në burg.

Ai ka kërkuar bashkimin e të gjithë faktorëve në vend si asnjëherë më parë për lirimin e pakusht dhe të menjëhershëm të Haradinajt.

 

“O sot o kurrë ka ardhur koha që të bashkohemi. Të bashkohemi rreth një trupi të fuqishëm, e trupi i fuqishëm janë çlirimtarët të cilët çliruan këtë vend” tha mes tjerash Bahtiri.

Smajl Latifi, nga AAK-ja, duke i quajtur mitrovicasit simbol të sakrificës për mbrojtjen e Mitrovicës dhe të Kosovës, tha se edhe qyteti i ndarë është bashkuar sot dhe po kërkon lirimin e heroit të gjallë.

Sipas tij, për shkak të mos reagimit qeveritar, qytetarët e Kosovës janë të detyruar që të protestojnë për të satën herë gjithandej vendit.

Ai ka potencuar se ndalesa e Haradinajt dhe paraburgosja e tij është ndalesë që po i bëhet Kosovës në rrugëtimin e saj të shtetndërtimit, forcimit dhe mbrojtjes së vendit.

 

“Ne jemi të bindur se ajo që ka ndodhur dhe po ndodhë sot me Ramush Haradinajn, ka ndodhur dhe po ndodhë sot me Kosovën. Ajo që ka ndodhur me Ramush Haradinajn dhe familjen e tij në kohën e luftës, ka ndodhur me Kosovën”, ka thënë Latifi.

Në anën tjetër, deputetja Teuta Haxhiu, ndalimin e Haradinajt e ka quajtur jo të rastësishëm.

Ajo ka kritikuar edhe kolegët e saj deputetë për të cilët tha se nuk pranuan që gjatë seancës së djeshme të kushtëzohen bisedimet me Serbinë. Edhe Haxhiu ka potencuar se mbështetja për Haradinajn, si një zë I fuqishëm dhe i rrallë, është mbështetje për gjithë vendin.

 

“Sot Ramushin e kemi të ndalur padrejtësisht në një shtet mik. Ne asgjë nuk kemi me Francën, është shtet mik, por të ndalohet Ramush Haradinaj nuk është krejt rastësi. Ramushi është ai i cili çdoherë ngriti zërin e arsyes dhe nuk lejoi që të harrohet e kaluara…Si deputete e Parlamentit të Kosovës ndjehem tepër e zhgënjyer me kolegët e mi deputetë, të cilët nga 37 sa morën fjalën, 90 për qind të tyre në fjalimin e tyre kishin ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, por në fund i ranë pishman fjalës së vet dhe nuk pranuan që të kushtëzohen bisedimet me Serbinë…Kudo mbështetja për zotin Haradinaj është mbështetje për një zë të fuqishëm dhe një zot shtëpie në Kosovë, që është zë i rrallë, që ka guximin dhe vendosmërinë”, theksoi Haxhiu.

Protesta ka zgjatur rreth gjysmë ore dhe nuk është shënuar ndonjë incident. /KP