Sot do të nis projekti i financuar nga BE “Asistencë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit – Direktivës së Shërbimeve të BE “.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se qëllimi i Direktivës së Shërbimeve është të arrihet përparim në Tregun e brendshëm të mirëfilltë të Shërbimeve ashtu që, në sektorin më të madh të ekonomisë evropiane, si bizneset, ashtu edhe konsumatorët të mund të shfrytëzojnë mundësitë që ajo i paraqet.
“Me mbështetjen e zhvillimit të Tregut të Brendshëm në Shërbime vërtetë të integruar, Direktiva do të ndihmojë realizimin e potencialit të konsiderueshëm sa i përket rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës në sektorin e shërbimeve në Evropë. Përveç kësaj, me parashikimin e thjeshtimit administrativ, ajo mbështet edhe agjendë më të mirë të rregullimit”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sipas njoftimit, qëllimi i projektit është të lehtësohet përafrimi në BE, duke mbështetur përshtatjen dhe zbatimin e legjislacionit të Kosovës me acquis të BE në fushën e shërbimeve.
“Projekti do të ngrit kapacitetin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të transpozoj dhe zbatoj me sukses Direktivën e Shërbimeve të BE në tregun e brendshëm në Kosovë. Dispozitat e Direktivës synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative, të largoj pengesat për aktivitete të shërbimeve, si dhe të shtoj si besimin reciprok midis Shteteve anëtare, ashtu edhe mirëbesimin e ofruesve dhe konsumatorëve në tregun e brendshëm”, thuhet më tej në njoftim.
Ky tubim do të mbahet sot duke filluar nga ora 10:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së./KosovaPress/