Aktuale

Edhe një “luftë” kundër korrupsionit

Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë është kthyer në qendër të vëmendjes së publikut në Kosovë me publikimin e përgjimeve të bisedave mes krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa mesazhet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, posaçërisht ato të nënpresidentit amerikan, Joe Biden, kanë shtuar presionin ndaj institucioneve për të luftuar këtë “kancer të shoqërisë”, shkruan sot Koha Ditore.

“Qeveria duhet ta luftojë pandëshkueshmërinë…, duke parandaluar që zyrtarët e akuzuar apo të dënuar të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre publike. Korrupsioni është kancer për çdo shoqëri dhe kjo është e vërtetë. Nëse nuk e trajtoni këtë, atëherë mundësia për të ecur përpara, që Kosova t’i mbushë potencialet e veta, nuk do të jetë e mundur”, ka thënë nënpresidenti amerikan, Biden, të enjten, në Prishtinë, gjatë një konference të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi.

Përveç mesazheve të ashpra kundër korrupsionit nga nënpresidenti Biden, institucionet e Kosovës këtë javë kanë nënshkruar edhe një memorandum të bashkëpunimit me Ambasadën e Britanisë së Madhe, përmes të cilit synohet të fuqizohet rekrutimi i stafit në institucionet e pavarura.