Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, me anë të cilit zgjatet afati për faljen e borxheve deri më 15 prill 2017.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se deri më tani janë falur vetëm 40 përqind të borxheve. Ai tha se sipas të dhënave që janë mbledhur dhe nuk janë në përfundimtare, borxhet totale që janë subjekt i trajtimit të këtij ligji kanë qenë 996 milionë euro.
“Deri më tani sipas këtij ligji janë falur 40 përqind të këtyre borxheve, rreth 407 milionë euro, dhe pjesa tjetër 60 përqind ende nuk është përfunduar dhe trajtuar. Nga kjo janë bërë pagesa 45.8 milionë euro për buxhetin e shtetit dhe ndërmarrjeve publike, që kanë qenë subjekt i këtij ligji. Suksesin më të madh në implementimin e këtij ligji e ka arritur ATK, disa borxhe të KEK-ut dhe tatimi në pronë në disa komuna. Duke qenë se ka plot ndërmarrje publike, të cilat nuk kanë qenë mjaftë aktive, në kryerjen e procedurave, edhe duke qenë se kemi parë një fluks shumë të madh të qytetarëve dhe bizneseve në javët e fundit sa ka qenë ky ligj në fuqi, kemi pranuar gjithashtu shumë kërkesa nga organizatat e biznesit dhe qytetarët për zgjatjen e afatit të këtij ligji, sot unë i propozoj Qeverisë që të aprovojë këtë projektligj për zgjatjen e afatit për gjashtë muaj të ardhshëm për këtë] projektligj, deri m e 15 prill 2017”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa tha se zgjatja e afatit për faljen e borxheve dhe për gjashtë muaj, është dhe një ofertë për të gjithë ata kanë borxhe.
“ Edhe për gjashtë muaj të zgjatet afati i këtij ligji, që ka të bëjë me faljen e borxheve publike që konsiderohet se është dhe një ofertë që u ipet gjithë atyre që kanë borxhe publike, që gjatë kësaj periudhe t’i përmbushin një formë ose në formën tjetër, përkatësisht atyre që u takon t’u falen. Ata që i përmbushin obligimet në afat, ashtu siç ligji parasheh të lirohen nga pjesa e interesave nga ato obligime”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, ngriti shqetësimin e tij para kabinetit qeveritar, lidhur me ndërprerjen e punimeve, në Kishën Ortodokse në Kampusin Univeristar. Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka kërcënuar serbët e Kosovës, duket i ndaluar punimet për pastrimin e Kishës Ortodokse. Ndërsa, ka ftuar Qeverinë që të marrë një qëndrim karshi kësaj pune.
Kryeministri Mustafa ka thënë se nuk do të lejohet që objektet e tilla të shfrytëzohen për aktivitete për të cilat nuk janë të destinuara.
“Ajo që duhet ne të zbatojmë, është që të mos lejojmë që objektet e tilla të shfrytëzohen për aktivitete dhe destinomë, për të cilat nuk duhet të shfrytëzohen. Unë e di që edhe Policia e Kosovës ka bërë përpjekje që t’i mbrojë objektet e tilla, në mënyrë që të mos degradohen. Çështja e statusit është një tjetër çështje. Objekti që është ndërtuar në territorin e Universitetit, është një çështje e cila duhet të zgjidhet por assesi nuk i jep të drejtën askujt që të shkoj të ndez zjarrë, apo të zhvillojë aktivitete tjera brenda, për të cilat edhe me ligj edhe në bazë të etikës nuk duhet të lejohen. Mendoj që edhe ministritë përkatëse të kujdesen për këtë dhe në të ardhmen duhet të bëhet një zgjidhje e cila në asnjë rast nuk guxon të shkaktoj tensione nder fetarë dhe ndëretnike në Prishtinë“, tha ai.
Qeveria po ashtu miratoi dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e së drejtës në pension, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se qëllimi i kësaj marrëveshje, është njohja e periudhës kohore të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe e drejta e tyre për pension.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është njohja e periudhës kohore të punës, së qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të Shqipërisë, të cilët kanë punuar në të kaluarën dhe atyre aktual, me qëllim të realizimit të së drejtës së pensionit, sipas sistemit pensional të këtyre dy vendeve. Po në këtë marrëveshje qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë do t’u mundësohet bashkimi i periudhave të sigurimit, përkatësisht periudhave kohore të punës në arritjen e pensionit të plotë”, tha ai.
Kabineti qeveritar u informua lidhur me gjendjen në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë si dhe shqyrtimin e mundësive të këtij institucioni, për të vazhduar veprimtarinë e tij.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se ky institucion i cili është themeluar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, e që si qëllim kishte uljen e tensioneve ndëretnike dhe integrimin e të gjitha komuniteteve brenda një institucioni të arsimit të lartë, po rrezikon të mbyllet në mungesë të fondeve. Ai tha se është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta mbështes pjesërisht këtë institucion me qëllim që të vazhdojË punën.
“Ky institucion ka gjithsej 400 student prej të cilëve 40 për qind janë të komunitetit serb dhe 60 për qind të komuniteteve tjera. Tani kemi pritur me kryeministrin , ministrin e financave, anëtarët e bordit të këtij institucioni dhe ata ballafaqohen me një vendim të vazhdimit apo mbylljes së institucionit. Duke qenë se të gjitha fondet ndërkombëtare që kanë mbështet deri tani këtë institucion kanë përfunduar, andaj kërkohet prej Qeverisë së Kosovës të deklarohet për mundësinë e një financimi të pjesërishëm të këtij institucioni”, tha ai.
Kurse, kryeministri Isa Mustafa tha duhet të bëhet një zgjidhje legale për këtë kolegj, pasi që funksionimi i mëtutjeshëm i këtij kolegji është i pa qëndrueshëm./KP