Aktuale

Edhe dy ditë Kosova rihap Aeroportin e Prishtinës

Qeveria e Kosovës ditë më parë mori vendim për rihapje të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Rihapja e aeroportit sipas planifikimeve do të bëhet edhe dy ditë, respektivisht të dielën më 28 qershor.

“Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se katër ditë”, pati deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ky lloj testi vërteton nëse koronavirusi është aktiv në organizimin e njeriut.

Sipas ministrit Zemaj, aeroporti do të hapet “vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme, që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë”.

Që nga regjistrimi i rastit të parë me koronavirus, respektivisht përhapjes së pandemisë, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2,432 raste me COVID-19.

Dje pati edhe 375 të shëruar, duke e çuar në 1,246 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Kurse janë 42 pacientë që kanë vdekur pas infektimit me koronavirus, por që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./FaktePlus