Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dalë në përkrahje të thirrjes së Përfaqësueses së BE-së, Natalya Apostolova, për krijimin sa më të shpejtë të qeverisë së re me qëllim të vazhdimit të reformave në ekonomi, drejtësi dhe vazhdim të dialogut me Serbinë.
“Ne mbështesim deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, EULEX-it dhe krerëve të misioneve të BE-së në Kosovë”, thuhet në një reagim të Ambasadës britanike.
We support the statement by Head of EU Office/EU Special Representative, EULEX and Heads of EU Missions in Kosovo. https://t.co/d5F9fS2C4H
— UK in Kosovo 🇬🇧 (@UKinKosovo) December 19, 2019
Në një komunikatë të lëshuar për media nga Zyra e BE-së në Kosovë thuhet se është e nevojshme që të themelohen institucionet e reja për shkak të çështjeve ekonomike dhe, gjithashtu, vazhdimit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.
“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, janë përmendur reformat që duhet të ndërmerren në fushën e zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.
“Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja”, vazhdon reagimi, raporton Express.
Ndër të tjera nga Zyra e BE-së besojnë që LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje do të gjejnë një pajtim për të tejkaluar sfidat e mbetura.
“Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”, potencohet ndër të tjera.