Të njëjtin fat si të banorëve të një ndërtese kolektive në lagjen “Dardania”, që me forcë u tentua të largohen nga banesat, mund ta kenë edhe 44 familje që jetojnë në një ndërtesë, e cila konsiderohet e uzurpuar nga Ndërmarrja Publike Banesore.
Ndërmarrja Publike Banesore ka bërë padi që të lirohen edhe banesat e uzurpuara në lagjen “Bregu i Diellit”, raporton KTV.
Banorët thonë se kanë investuar shuma të mëdha parash në këtë objekt dhe kërkojnë që t’u njihet kjo e drejtë. Për këtë rast, të mërkurën është mbajtur një seancë gjyqësore, e cila u shty për një datë tjetër.
Por në Ndërmarrjen Publike Banesore thonë se këto banesa janë pronë publike dhe sipas saj, ajo është dhe duhet të jetë e patjetërsueshme.
Kompleksi banesor me rreth 50 banesa ishte ndërtuar në vitet e 90-ta dhe ka qenë projekt për t’i sistemuar refugjatët serbë të Bosnjës në Prishtinë.