Kaluan 20 vjet nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së në Prekazin legjendar, kur komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, u përballën me makinerinë më masive vrastare të okupatorit serbo-sllav, që kërkonte me çdo kusht të gjunjëzonte Jasharajt dhe gjithë shqiptarët.
Me 10-11 mars bëhen 20 vjet, që u bë ceremonia e varrimit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari. Si rëndom, në këtë parapranverë, në Republikën e Kosovës, kujtohen zhvillimet më dramatike të asaj kohe, kur nisi lufta e hapur dhe frontale në mes forcave çlirimtare, UÇK-së që luftonte në tokën e vet, për lirinë e popullit të Kosovës, si dhe forcave barbare serbo-sllave, që kërkonin mbajtjen e Kosovës dhe popullit të Kosovës në robëri.
Në përvjetorin e njëzetë të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pos të rënëve të flakëve e fronteve të luftës, pra jo vetëm nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk është në jetë një nga protagonistët e zhvillimeve më të rrezikshme jo vetëm në Prekaz, por kudo në Kosovë, profesori, historiani e veprimtari i shquar Dr. Zekeria Cana, që vdiq më 10 janar të vitit 2009.
Profesor Zekeria Cana ishte gjithsesi protagonisti kryesor i shumë ngjarjeve në Kosovën martire, përfshirë edhe i ceremonisë së varrimit të komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari në Prekaz më 11 mars 1998.
Me këtë rast, pa keqkuptim, konsiderojmë se dikush, përfshirë edhe bartës të institucioneve, por edhe nga familja e të madhit Adem Jashari, u koritën që së paku nuk patën marrë pjesë as në një çast të vetëm të ngushëllimit për vdekjen e profesorit, të cilin e njohu jo vetëm Bota shqiptare, por edhe më gjerë.
Ai sakrifikoi shumë, madje edhe më shumë sesa kanë sakrifikuar atdhetarë të tjerë më të rinj në moshë.
Profesori nuk diti ç’është frika, atë nuk e ndalën as tanket serbe, ai nuk u ndal kurrë së vepruari, qoftë për të uruar, qoftë për të pajtuar familje, qoftë për të ndihmuar në aksione solidariteti, për të inkurajuar, apo për të marrë pjesë në hidhërime e për të ngushëlluar.
Nuk është e ndershme, që të tjerët, të vetë lavdërohen me kontributin e të tjerëve, që edhe përkundër të gjitha trysnive dhe rrezikut serioz e permanent, patën guxim e kurajë që të mbeten aty në Prekaz, të përballen me gjithë atë arsenal armësh të rënda të makinerisë vrastare të Serbisë okupatore, vetëm e vetëm që të mos lejojnë përbaltjen e trupave të të rënëve nga këmbëshkelësit serbë.
Profesor Cana i priu karvanit të veprimtarëve trima, gjatë kryerjes së ceremonisë varrimit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari e të familjes Jashari.
Në dokumentar marrin pjesë Qamile Jashari, motra e Hamëz dhe Adem Jasharit, Hilmi Nuredini, burri i motrës së Jasharëve, Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, Sadri Rama, mik i Jasharëve (babai i Gjeneral lejtnant Rrahman Ramës), Fetah Bekolli, hoxha nga Rogova e Hasit, Isak Rexhepi, imam, si dhe Cen Desku, pjesëmarrës në varrimin e Jasharëve.