Natyra e raketës që u shkrep sot në mëngjes nga Koreja Veriore është ende duke u vlerësuar, por analistët kanë thënë se testimi mund të sugjerojë se bëhet fjalë për një raketë të gamës më të gjerë krahasuar me raketat e testuar deri më tani.
Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Tomomo Inada, ka thënë se raketa fluturoi për rreth 30 minuta para se të binte në Detin e Japonisë, dhe se kjo raketë mund të jetë e një lloji të ri, transmeton Express.
Inada ka thënë se raketa mbuloi një distancë prej rreth 700 kilometra, duke e arritur një lartësi prej më shumë se 2.000 kilometra – që është më e lartë se ajo e arritur nga raketa me rreze të mesme veprimi e testuar nga Koreja Veriore në muajin shkurt.
Ekspertët e cituar nga Reuters thonë se lartësia e arritur nënkupton se raketa është shkrepur në një trajektore të lartë, duke e limituar distancën anësore që e ka përshkuar. Ata thonë se nëse do të ishte shkrepur në një trajektore standarde, atëherë do të kishte arritur një diapazon prej 4.000 kilometrave.
Komanda e Paqësorit e SHBA-së ka thënë në një komunikatë se lloji i raketës është duke u vlerësuar, por shtoi se fluturimi i saj nuk ishte në përputhje me atë të raketës balistike interkontinentale, e cila ka shtrirje sa për ta arritur SHBA-në ( më shumë se 6.000 kilometra).
Besohet se Koreja Veriore është duke i zhvilluar dy lloje të raketave balistike interkontinentale, por asnjëra nga to nuk është testuar deri më tani./Express/