Në Pallatin “Serbia” po vazhdon ceremonia festive me rastin e inaugurimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i sapozgjedhur serb është paraqitur me gruan e tij në orën 18 e 30, duke i pritur zyrtarët e lartë të shumë vendeve që kishin ardhur për këtë ceremoni.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Tamara, i kanë përshëndetur veç e veç secilin që ka ardhur në ceremoni, shkruan lajmi.net.
Në mesin e shumë personaliteteve që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni janë: Johanes Hahn (Komisioneri për Zgjerim i BE-së), Bryan Hoyt Hee (ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe EuroAzi), Viktor Orban (kryeministër i Hungarisë), Gerhard Shreder (ish kancelar i Gjermanisë), Dmitrij Rogozin (zv/kryeministër i Rusisë), Kolinda Grabar Kitaroviq (presidente e Kroacisë), Bakir Izetbegoviq (kryesues i presidencës të Bosnjës dhe Hercegovinës), Gjorgje Ivanov (Presidenti i Maqedonisë), Filip Vujanoviq (president i Malit të Zi), Tomisllav Nikoliq (ish president i Serbisë), Ivica Daçiq (zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë)…
Një numër kaq i madh i të pranishmeve nga Ballkani, Evropa dhe me gjerë, tregon se Vuçiq, megjithatë, është lider nga i cili priten ndryshime në Serbinë e zhytur në nacionalizëm, e cila mbetet rrezik potencial për paqen në Ballkan.
Në këtë manifestim nuk ka marrë pjesë asnjë zyrtar shtetëror shqiptarë, as nga Shqipëria, e as nga Kosova!