Aktuale

“E diela e zjarreve”, regjistrohen tetë raste të zjarrvënies

Gjatë ditës së djeshme në tërë Kosovën janë regjistruar tetë raste të zjarrvënies.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në tërë vendin gjatë ditës së djeshme janë regjistruar tetë raste të zjarrvënies, raporton lajmi.net.

Sipas njoftimit të Policisë, vetëm në rajonin e Pejës janë regjistruar tre raste.

Mbrëmë në ora 19:30 në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Mbretëresha Teutë”, një persona ka informuar se nga zjarri është përfshirë një pjesë e pyllit.

Për fat të mirë nuk është raportuar për lëndime në njerëz dhe njësiti i zjarrfikësit ka arritur ta lokalizojë zjarrin, raporton lajmi.net.

Një rast tjetër i zjarrvënies është regjistruar në fshatin Drobesh të Vitisë në ora 18:10.

Sipas njoftimit të Policisë, një person ka raportuar se në rrethana të panjohura nga zjarri i është përfshirë stalla e shtazëve.

“Njësitë përkatëse policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime në njerëz”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, shkruan më tutje lajmi.net.

Edhe në Shtërpcë, në ora 16:00 është raportuar se nga zjarri janë përfshirë rreth dy hektarë me pisha.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti policor dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

Një rast tjetër i zjarrvënës është regjistruar në Delloc të Suharekës në ora 15:13.

Sipas Policisë, nga ky zjarr është përfshirë një sipërfaqe prej disa hektarësh pyll.

“Njësitë policore, zjarrfikësit, ekipi nga drejtoria emergjente dhe pylltarisë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, bëhet e ditur në njoftim, raporton më tutje lajmi.net.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, vetëm në rajonin e Pejës janë regjistruar tre raste të zjarrvënës.

Në ora 12:20 në fshatin Kosuriq, një person ka raportuar se nga zjarri i është përfshirë një sipërfaqe prej tre hektarë me shkurre.

Njësitë e zjarrfikëseve kanë lokalizuar zjarrin ndërsa nuk raportohet për lëndime në njerëz.

Ndërsa në ora 16:00 në fshatin Lubeniq të Pejës, një person ka raportuar se nga zjarri është përfshirë një sipërfaqe pyjore.

Rasti i tretë është regjistruar në fshatin Prilep të Deçanit, ku në ora 17:00 një person ka informuar Policinë e Kosovës se nga zjarri është përfshirë një sipërfaqe prej tre hektarësh pyll dhe livadhe.

“Njësitet e zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime në njerëz”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndërkaq rasti i tetë i zjarrvënës është regjistruar në fshatin Boletin të Zveçanit në ora 18:30.

Sipas njoftimit, një person ka bërë të ditur nga zjarri i është djegur një sipërfaqe mali prej katër hektarësh pronë e tij.

Njësitet e zjarrfikëseve kanë lokalizuar zjarrin. /Lajmi.net/