Personi i dyshuar për kryerjen e sulmit të së dielës në qytetin francez të Marsejës,i cili vrau dy persona ishte arrestuar dhe më pas u lirua nga policia dy ditë përpara incidentit, tha një burim i afërt me hetimin e policisë.
Burimi tha se i dyshuari, i cili kishte tetë identitete të ndryshme , u ndalua nga policia në Lyon më 29 shtator, nën dyshimin për grabitje. Ai u lirua për mungesë provash.
Identiteti i të dyshuarit mbetet i paqartë, shtoi burimi.
“Vrasësi kishte tetë emra të ndryshëm. Çdo herë që u ndalua, ai paraqiti një letër identiteti të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë. Në një moment, ai thotë se ka lindur në Francë, në një tjetër thotë se ka lindur në Algjeri “, tha burimi, transmeton KosovaPress.
Një ushtar e vrau të dyshuarin pasi kishte therur me thikë për vdekje dy gra në stacionin kryesor të trenit të Marsejës të dielën, në atë që zyrtarët e përshkruan si një “akt të mundshëm terrorist”