Rajon & Botë

Dyshohet se Koreja Veriore po e zhvillon programin raketor fshehurazi

Koreja Veriore është duke e zhvilluar programin e saj për raketat balistike në 16 baza të fshehura, të cilat janë identifikuar në disa pamje të reja satelitore. Një gjë e tillë ishte vërejtur edhe më herët nga agjencitë e inteligjencës amerikane, por kjo temë nuk ishte diskutuar për shkak se presidenti amerikan pretendonte se e ka neutralizuar kërcënimin nuklear të shtetit komunist.
Pamjet satelitore tregojnë se Koreja Veriore është përfshirë në një mashtrim të madh. Premtoi se do ta shkatërronte një stacion për lëshimin e raketave, proces të cilin e kishte filluar, por vazhdoi që të bënte përmirësime në mbi dhjetë stacione të tjera, të cilat mund të shfrytëzohen për lëshimin e kokave bërthamore.

Ekzistimi i bazave të raketave balistike, të cilin Koreja Veriore asnjëherë nuk e ka bërë të ditur, bie në kundërshtim me vlerësimin e presidentit Trump se politika e tij diplomatike po e sjell eliminimin e programit nuklear dhe raketor, me të cilin Koreja Veriore e kishte kërcënuar me shkatërrim SHBA-në. “Nuk jemi duke u ngutur. Sanksionet janë në fuqi. Raketat janë ndalur”, tha presidenti Trump lidhur me bisedimet me Korenë Veriore, gjatë një konference për gazetarë.

Deklarimet e tij mund të vlerësohen si të vërteta vetëm në një aspekt. Si duket, ai e kishte fjalën për ndaljen e testimeve të raketave, gjë e cila nuk ka ndodhur gati qe një vit. Sidoqoftë, zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Koreja Veriore e ka vazhduar prodhimin e materialit bërthamor dhe armëve të reja bërthamore, të cilat i ka të fshehura në bazat sekrete në male. Harta satelitore e këtyre bazave tregon se vendndodhja e tyre do t’ia mundësonte Koresë Veriore sulmet e mundshme ndaj Koresë Jugore, Japonisë dhe bazave amerikane në Paqësor.

Testet të cilat Koreja Veriore i kishte kryer me raketa balistike në këto baza vitin e kaluar kishin shfaqur disa probleme teknike, të cilat ia pamundësojnë një sulm të mundshëm ndaj pjesës kontinentale të SHBA-së. Për këtë arsye, presidenti Trump kishte thënë se ndalimi i testimit të raketave ishte një arritje e madhe sepse ia pamundëson Koresë së Veriut që t’i ndërmarrë hapat përfundimtarë për ta përsosur sistemin e saj raketor, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli