Aktuale

Dy vjetori i vdekjes, a do t’i mbyllin zviceranët përgjithmonë dilemat për rastin Dehari?

Më 5 nëntor janë bërë dy vite nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit i cili në rrethana ende plotësisht të pasqaruara ndërroi jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Familja Deharit ka kërkuar hetim të pavarur ndërkombëtar, për vdekjen e Astritit. Hetimet tash e disa muaj për këtë çështje po zhvillohen në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Mirëpo, deri më tani, familja, avokati, prokuroria e as qeveria e Kosovës nuk kanë marr asnjë përgjigje ose raport se deri ku kanë arritur hetimet në këtë institut. Për familjen Dehari, shpresa e vetme për ta zbuluar shkaktarin e vdekjes së djalit të tyre mbetet “Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore – Romand”, (CUTML), në Zvicër. Ndërkohë nga Prokuroria në Kosovë po thonë se së shpejti pritet që të rikthehet ekspertiza nga Zvicra.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme ka miratuar rezolutën përmes së cilës i është mundësuar familjes Dehari që të kërkojë ekspertizë nga çdo vend në BE’së ose SHBA për kryerjen e autopsisë së Astrit Deharit. Familja Dehari në mars të 2017’ës ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën përmes së cilës ajo ka përzgjedhur Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.

Por, i gjithë raporti me dokumentet e nevojshme për ekspertizë kanë shkuar në “Qendrën Universitare e Mjekësisë Ligjore – Romand”, (CUTML), në Zvicër, vetëm pas një viti.

Ka më shumë se tre muaj që kur autoritetet e CUTML’së në Laussane të Zvicrëes e kanë marrë raportin nga ana e organeve të hetuesisë kosovare, ku flitet rreth vdekjes së Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Për këtë çështje, nga Prokuroria për krime të rënda në Prizren ku edhe janë marrë më këtë rast, po shpresojnë që lënda me përgjigjen përfundimtare rreth vdekjes së Astrit Deharit, të kthehet shumë shpejtë në Kosovë.

Kështu i tha të hënën Expressit, prokurori nga Prizreni, Metush Biraj, i cili është marrë më lëndën e Astrit Deharit.

“Jemi në pritje. Ne lëndën e kemi dërguar që disa muaj. Tash jemi në kontakt me ata të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër. Së shpejti besojmë se së shpeshti munden me dal me një kumtesë. Besojmë se së shpejti do të kemi përgjigje’, ka thënë Biraj për Express.

Ai ka sqaruar se nga ky Institut, prokurorisë kosovare i ishin kërkuar edhe disa materiale shtesë si dhe ka sqaruar se çfarë materialesh i ka dërguar pala kosovare këtij instituti.

“Disa gjëra i kanë kërkuar shtesë. Kemi dorëzua disa materiale hetimore. Disa pjesë të ekspertizës i kemi dorëzuar. Ata më duket se janë duke e përpiluar raportin përfundimtar”.

E në pritje të rezultateve janë edhe nga familja e Deharit. Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka deklaruar për Express se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj çështjeje.
“Edhe ne jemi në pritje të rezultateve. As pas dy vitesh nuk kemi ende përfundim te hetimeve per vrasjen e Astrit Deharit dhe as rezultate te hetimeve te pavarura e ne kuadër te këtyre hetimeve edhe ekspertiza nga Instituti i Qendrës Universitare te Mjekësisë ligjore ne Lausanne të Zvicrës”, ka thënë Gashi.

Për dinamikën e hetimeve që po zhvillohen në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore për rastin e Astrit Deharit organet e drejtësisë në Kosovë pranojnë se nuk kanë asnjë informacion të ri për ecurinë hetimore, por thonë që këto hetime i kanë ndihmuar.
Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rreth një muaj pas vdekjes së Astrit Deharit ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha kishte publikuar gjetjet e autopsisë edhe të hetimeve për rastin Dehari duke konfirmuar se ai ka vdekur nga dëmtimet e vetë shkaktuara. Hoxha kishte thënë se Dehari nuk kishte pasur asnjë konfrontim fizik me asnjë të burgosur.

“Të gjitha provat e gjetura deri më tani rezultojnë se kemi të bëjmë me vetëvrasje, kishte thënë kryeprokurori. Konstatim të ngjashëm kishte bërë edhe misioni i EULEX’it duke e mbështetur atë që kishte nxjerrë si përfundim prokuroria kosovare. EULEX kishte njoftuar se “beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes”. Por, të gjitha këto përfundime janë hedhur poshtë.
Ndërsa në muajin dhjetor ishte publikuar edhe një ekspertizë e ekspertëve të pavarur e cila kishte “konstatuar se vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ishte e dhunshme”.

Kjo kishte shtyrë avokatin Tomë Gashi të thotë se thënë se të “gjeturat tregojnë dhe është përfundim logjik se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje”./GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli