Rrugët e Kosovës u përgjakën edhe mbrëmë, një grua humbi jetën në një aksident trafiku në fshatin Vitomiricë të Pejës. Nga një aksident tjetër po ashtu mbrëmë në Mitrovicë lëndime vdekjeprurëse mori edhe një 20 vjeçar. Kjo situatë po cilësohet shumë shqetësuese, për këtë Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion për të gjithë pjesëmarrësit e trafikut.
“Referuar statistikave të 24 orëve të fundit ku janë evidentuar dy aksidente me fatalitet, situata e sigurisë në rrugët tona mbetet ende shqetësuese. Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet dhe apelojmë për një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, për një gjendje më të mirë”, thuhet ndër të tjera në apelin e policisë, transmeton Gazeta Express.
Nga aksidenti në Vitomiricë lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, mësohet se gjendja e tyre është e rëndë.
Detaje nga aksidenti në Vitomiricë, nga raporti i sotëm policor:
Fsh. Vitomiricë, 21.07.2018-17:40. Ka ndodhur një aksident trafiku mes katër automjeteve, me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar pesë persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa lëndime vdekjeprurëse ka pësuar viktima femër boshnjake shtetase e huaj. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është duke u hetuar.
Ndërsa, aksidenti në Mitrovicë la të vdekur një 20 vjeçar dhe të lënduar shoferin e veturës.
“Nga ky aksident i rëndë ka mbetur i vdekur R.A, 20 vjeçar i cilit ishte si pasagjer në veturë, ndërsa nga ky aksident shoferi i automjetit ka mbetur vetëm i lënduar ku edhe po trajtohet në QKUK”, njoftoi policia.
Policia thotë se masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetsim për të gjithë dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore./Gazeta Express