Policia e Kosovës ka dhënë detajet e monitorimit të marshit protestuesit të organizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje në 1-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.
Sipas Policisë, përkundër krijimit të rrethanave të përshtatshme për shprehje të pakënaqësisë për pjesëmarrësit në protestë, disa prej tyre përderisa protesta ende nuk kishte përfunduar kanë shfaqur agresivitet të theksuar dhe sjellje të dhunshme të manifestuara me hedhjen e mjeteve të forta dhe atyre me ngjyrë në drejtim të objektit të qeverisë.
Për të neutralizuar veprime të tilla të dhunshme policia ka paralajmëruar dhe ka urdhëruar të tillët që të ndalojnë veprimet agresive, mirëpo përkundër kësaj të njëjtit kanë vazhduar duke mos i’ u bindur urdhrave të policisë si dhe duke vazhduar edhe më tej me veprime të tilla të dhunshme.
Për veprime dhe sjellje të tilla, policia ka shoqëruar për në stacionin policor dy persona të dyshuar dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë hetimore.
Në njoftimin e POlicisë theksohet se për pasojë janë shkaktuar dëmtime të theksuara në objektin e qeverisë si thyerje xhamash dhe dëmtim dritaresh me ngjyrë. Përveç dëmeve materiale persona të lënduar nuk ka pasur./KosovaPress/