Aktuale

Dy orë pritje për fillimin e seancës – arsyeja që po mban peng votimin e demarkacionit

Kanë kaluar dy orë që nga koha kur ishte paraparë të fillonte seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ndonëse nuk ka një arsyetim të qartë, për vonesën e fillimit të kësaj seance, besohet se shkak është mos pajtueshmëria e LDK-së, shkruan Insajderi.

LDK është deklaruar gjatë ditës së sotme se do të votojnë pro marrëveshjes dhe deklaratës së dy presidentëve, por ky subjekt politik shprehet kategorikisht kundër raportit të Shpejtim Bulliqit.

“Ne si LDK duam ta votojmë marrëveshjen e 2015-ës dhe deklaratën e dy presidentëve, por jo edhe raportin e Shpejtim Bulliqit. Nuk mund të votohet edhe raporti edhe marrëveshja. Sa i përket disa transformimeve, nuk flas për to, por besoj që po shihet se pa LDK-në nuk mund të shkojë përpara ky vend”, ka thënë Ismet Beqiri, gjatë ditës së sotme.

Atë që LDK po e konsideron të pa pranueshme, Bulliqi po e quan si tendencë për të fshehur humbjen e territorit.

“Largimi i raportit tim është tendencë që mos nxjerrët realiteti i humbjes së territorit dhe mos realizimit të deklaratës së dy presidentëve. Korrigjimi bazohet në ligj e jo në raporte” ka thënë Bulliqi për Klan Kosovën më herët.

Por sipas mediave vetë kryeministri, Ramush Haradinaj është angazhuar për këtë çështje ku është duke biseduar me grupin parlamentar të LDK-së.

Në këtë takim besohet se kanë marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deputeti, Ismet Beqiri, kryeministri, Ramush Haradinaj si dhe kreytari i kuvendit Kadri Veseli../Insajderi.com