Komuna e Shtërpcës, Junikut, Mamushës, Novobërdës, Kllokotit, Parteshit, Ranillugut dhe Graçanicës janë të vetmet që i kanë shpëtuar pandemisë së Coronavirusit, ndonëse ka më shumë se dy muaj prej se rastet e para janë shënuar në Kosovë, raporton portali “Front Online”.
Ndonëse këto komuna ende janë imune ndaj Coronavirusit, jeta institucionale dhe sociale është kufizuar njësojë si në qytete të tjera, duke bërë që të njëjtat edhe të goditen ekonomikisht.
Turizmi dhe gastronomia po dalin të jenë sektorët më të goditur nga pandemia, teksa është dhënë alarmi që në rast se masat nuk do të hiqen së shpejti për këta sektorë, mund të ketë dëme të pariparueshme.
Në ndërkohë kujdesi i qytetarëve dhe respektimi i masave të vendosura nga institucionet kanë bërë që këto Komuna ta lënë jashtë dere Coronavirusin.
Si i shpëtoi Juniku Coronavirusit?
Komuna e Junikut ende nuk e ka asnjë rast të konfirmuar pozitiv me pandeminë Covid-19.
Edhe pse numri i përgjithshëm i të infektuarve në tërë Kosovën ka shkuar në 954, komuna e vogël e Junikut që gjendet në mes të Deçanit dhe Gjakovës, ka shpëtuar nga Coronavirusi.
Agron Kuçi, kryetar i kësaj komune ka thënë për Front Online, se kujdesi i institucioneve dhe respektimi i masave nga qytetarët ka bërë që kjo Komunë të mos preket nga pandemia.
“Gjithë këtë sukses unë i`a dedikojë kujdesit të jashtëzakonshëm të qytetarëve të Junikut, të cilët edhe më parë kanë treguar një qytetari karshi vendimeve edhe shtetërore, shtet formuese, por edhe angazhimit të institucioneve si qeverisjes lokale, qeverisë dhe institucioneve të kujdesit shëndetësorë, familjarë dhe organizatave të tjera jo qeveritare që bëjnë pjesë në Shtabin Emergjent të Komunës së Junikut”.
Qytetarët e Junikut sipas kryetarit me përpikëri i kanë respektuar edhe
“Megjithatë qytetarët e Komunës së Junikut kanë treguar një kujdes të veçantë karshi vendimeve dhe masave të marra nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike”, ka thënë Kuçi.
Një lehtësim i madh për sa i përket identifikimit të rasteve me Covid-19 në këtë komunë ka qenë, numri i vogël i banorëve dhe mundësi që secili të jetë nën mbikëqyrje institucionale. Të paktën kështu ka deklaruar paria i kësaj Komune, i cili ka theksuar se ka pasur vazhdimisht testime për personat që kanë dyshuar që e kanë virusin.
“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Junik ka listë për secilin qytetarë të Junikut, por edhe për çdo të sëmurë kronik dhe Shtabi Emergjent i kësaj komune e ka parë çdo lëvizje të qytetarëve që kanë ardhur si nga jashtë , edhe prej atyre që kanë qenë në vetë izolim. Janë testuar dhe ne vazhdimisht mbajmë takime të rregullta edhe me bizneset dhe me të gjitha strukturat të cilat kanë komunikim apo qarkullim”, ka thënë Kuçi.
E sektori më i dëmtuar në këtë komunë ka qenë turizmi. Sipas kryetarit Kuçi në rast që nuk hapen së shpejti restorantet dhe gastronomia, dëmet do të jenë të pariparueshme.
“Ne industri kryesore e kemi turizmin. Restorantet dhe gastronomia është më e goditura. Në këtë drejtim me të vërtetë ka shumë biznese të kësaj natyre që janë të goditura dhe që janë edhe biznese familjare. Në këtë industri ka një numër dukshëm të lartë të të punësuarve, por besoj që Qeveria në fazën e dytë do të lehtësoj masa edhe në këtë pjesë, sepse përndryshe dëmet janë të pariparueshme”, ka thënë ndër të tjera.
Shtërpca ende e paprekur nga Coronavirusi
Njësoj si Juniku, edhe komuna e Shtërpcës deri më tani nuk ka asnjë të prekur me Coronavirus.
E kufizimi me Ferizajn, Suharekën, Prizrenin dhe Kaçanikun që renditen ndër qytetet me më së shumti të prekur me Covid-19 në vend, nuk ka ndikuar që pandemia të arrijë edhe në këtë qytetet, që vazhdon edhe më tutje të jetë imun ndaj virusit.
Drejtori i Shëndetësisë në Shtërpcë, Valmir Ahmeti, ka thënë për Front Online, se në këtë Komunë, janë marrë të gjitha masat për luftimin e virusit.
“Me përhapjen e virusit në Kosovë, Komuna e Shtërpcës i ka marrë të gjitha masat, të menjëhershme për luftimin e virusit. Ka formuar Shtabin Emergjent, i ka marrë masat e tjera mbrojtëse, në bashkëpunim me Policinë dhe me institucionet e tjera shëndetësore. Qytetarët i janë bashkangjitur thirrjes për të ndenjur në shtëpi dhe kjo është një ndër arsyet se pse ne nuk e kemi asnjë rast pozitiv me virus”, ka thënë ai.
Edhe në këtë komunë sektori më i goditur nga pandemia po del të jetë turizmi. Mbyllja e restoranteve sipas Ahmetit ka bërë që shumë biznese të kenë pasoja nga Covid-19.
“Si në tërë Kosovën edhe në Shtërpcë ka probleme. Bizneset kanë pasur shumë pasoja nga virusi. Komuna e Shtërpcës ka mjaft restorante duke pasur parasysh që edhe Brezovica është në këtë komunë. Ky sektor është dëmtuar më së shumti në këtë komunë”, ka thënë Ahmeti.
Nga fillimi i pandemisë, në Shtërpcë janë testuar katër persona, si të dyshuar me Coronavirus. Ahmeti ka konfirmuar që të gjithë ata kanë rezultuar negativ në testim.
“Në komunën e Shtërpcës kemi pasur 4 teste për Coronavirus. 3 prej tyre kanë qenë raste kontakti por që fatmirësisht kanë rezultuar negativ, dhe një mostër ka qenë e një zyrtar të Policisë së Kosovës i cili edhe ai pas testimit ka dal negativ me virus”, ka thënë ai.
Në ndërkohë në bazë të të dhënave të fundit të publikuar nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), në Kosovë deri më tani nga Coronavirusi janë prekur 954 persona. Prej tyre 690 pacientë janë shëruar, teksa janë shënuar edhe 29 raste të vdekjes.