Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe dy kritere që të plotësohen para liberalizimit të vizave për qytetarët e saj në zonën schengen.
Ndonëse nga zyrtarët qeveritar ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, cilësohet si kriteri i fundit, vetë zyrtarët e BE-së kanë thënë se Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe dy kritere, ai i për votimin e demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit te organizuar.
Albana Merja, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Indeksonline se në mënyre qe procesi i liberalizimit te vizave te përmbyllet me sukses, duhen te përmbushen edhe dy kritere te rëndësishme qe përfshijnë përfundimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe veçanërisht luftimi i korrupsionit dhe krimit te organizuar.
“Evidenca në luftimin e krimit të organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionit në nivele të larta shtetërore, vazhdon të mbetet një sfidë për institucionet e Kosovës. Kjo ka qenë një ndër kërkesat kryesore që në fillim të këtij procesi (Qershor 2012) dhe është theksuar në çdo raport vlerësues nga ana e Komisionit, duke ja bërë në këtë mënyrë të qartë qeverisë së Kosovës që pa e rritur efikasitetin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë e vështirë që të arrihet liberalizimi i vizave”, ka thënë Merja.
Sipas saj përveç luftimit të këtyre dukurive, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës, Parlamenti dhe institucione të tjera relevante, të filloje një proces të lobimit intensiv dhe te koordinuar, në mënyrë që të arrihet një rezultat pozitiv gjatë votimit të amendamenteve në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Ndërkaq edhe shefja e Re e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se përveç zgjidhjes së problemit të demarkacionit autoritetet qeveritare në Prishtinë duhet që seriozisht ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, para se të bëhet liberalizimi i vizave.
“Kosova para integrimit në BE duhet që së pari të bëjë largimin e zyrtarëve politik të akuzuar për korrupsion. Emërimi në mënyrë transparente i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike. Gjyqësori të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të luftohet korrupsioni”, ka theksuar shefja e zyrës së BE-së në Kosovë.