Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili u zgjodh për herë të dytë kancelar i Austrisë, në programin e tij qeverisës ditë më parë e ka përfshirë edhe Kosovën, duke e futur kështu në program qeverisës.
Në dokumentin e përgjithshëm, në pesë pika përmendet përkrahja e Vjenës në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, liberalizimin e vizave, si dhe integrimin evropian.
Në pikën e dytë theksohet mbështetja e qeverisë austriake për procesin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, ku thuhet se Austria do të vazhdojë ta ndihmojë në mënyrë aktive Ballkanin Perëndimor në rrugën evropiane.
E në lidhje më këtë analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për gazetën “Bota sot” se përfshirja e Kosovës, repsketivisht dialogu Kosove -Serbi në planin e kancelarit austriak ka të bëjë më dy arsyeje kryesore.
“Së pari të kujtojmë se Austria ka qenë e kyçur në dialogun Kosovë Serbi edhe para pavarësisë së saj, si dhe ish diplomati Ëolfgan Petrich ka qenë austriak, andaj Austria e ndjen se pa u përmbyllur një herë e përgjithmonë çështja e Kosovës nuk mund të mos ndjej përgjegjëse për një gjë të tillë. Së dyti ka të bëjë më forcimin e rolit të Austrisë brenda BE, duke qenë se për BE çështja e Kosovës është ndër prioritet kryesore, Austria dhe Kurz mundohen të shfrytëzoj një gjë të tillë për të shtuar peshën e saj brenda BE-së”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.
Ai tutje ka shtuar se në këtë mënyrë Austria mundohet të forcoj rolin e saj në Evropë, duke dëshmuar si shtet që kontribuon për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Nga e gjithë kjo nuk pritet që Kosova të përfitoj diçka direkt, mirëpo është i mirëseardhur kontributi i secilit shtet, që synon që Kosova të fitoj liberalizim të vizave, por pa kushtëzim që të pranojmë çdo gjë që Serbia shtron në tavolinë të bisedimeve. Gjithësesi të themi se Austria ka hyrë në vallen e nisur nga presidenti Ahtisari, ku së bashku me të ishte edhe ish diplomati austriak Petrich. Andaj nuk mund të largohet nga vallja derisa të përfundon kënga e gjatë Kosovë –Serbi”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.