Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi gjatë një konference për media tha se pjesëmarrja e madhe në zgjedhje tregon se Kosova po ndërton një demokraci të mirëfilltë.
Ai ftoi të gjithë qytetarët e vendit që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe se vota e tyre është e garantuar nga institucionet kushtetuese.
“Pjesëmarrja e madhe në zgjedhje që po vërehet sot forcon demokracinë tonë përfaqësuese si dhe përcakton rrugën e vendit tonë për proceset integruese euro atlantike, dalja e qytetarëve në zgjedhje dhe procesi zgjedhor është argumenti më i mirë se ne në Kosovë po ndërtojmë një demokraci të mirëfilltë evropiane. Me këtë rast ftojmë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote që të dalin sa më masivisht për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike, vota e tyre do të jetë e garantuar, për këtë janë të angazhuara të gjitha institucionet kushtetuese të vendit”, tha ai.
Më tej Dushi ftoi të gjitha subjektet politike, si dhe gjithë pjesëmarrësit në këto zgjedhje të respektojnë kodin e mirësjelljes.
“Ftojmë po ashtu subjektet politike dhe koalicionet pjesëmarrëse në këto zgjedhje, anëtarët dhe qytetarët në përgjithësi ….që të respektojnë kodin e mirësjelljes dhe të kontribuojnë në gjithë së bashku në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me qëllim të vetëm që të kemi një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik”, tha Dushi./KosovaPress/