Aktuale

Duhanpirja shumë e dëmshme për shëndetin riprodhues

Pirja e duhanit, sidomos nga gratë shtatzëna, shkakton probleme të shumta tek fëmijët, është thënë një diskutim me temën “Ndikimi i duhanpirjes në shëndetin seksual riprodhues”, të organizuar nga koalicioni i organizatave K10.

Doktor Sami Uka nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se me duhanpirje njeriu investon në vdekjen e vet. Derisa, shëndeti riprodhues është fillimi i jetës dhe se sipas Ukës, njeriu duhet të zgjedh mes të parës dhe të dytës.

Uka ka paraqitur edhe statistika rreth duhanpirjes së grave shtatzëna, nga hulumtimet e bëra nga OBSH-ja.

“Në vitin 2009 OBSH ka organizuar një hulumtim rreth duhanpirjes në shtatzëni dhe përdorimit të substancave psiko-aktive në shtatzëni. Dhe kemi qenë shumë keq të befasuar, mos të them të shokuar, se 20.9 për qind të mbi 1000 respodenteve kanë thënë se vazhdojnë duhanpirjen edhe gjatë shtatzënisë. Do të thotë bash nuk mërziten hiq për frytin që e kanë edhe mirëqenien e tij. Prej atyre mbi 40 për qind që janë deklaruar se e pinë duhanin në mënyrë aktive, 30 për qind janë deklaruar se gjatë shtatzënisë e ndërprenë, e qind për qind të tyre janë deklaruar se e rrallojnë duhanpirjen. Akoma ma keq ka qenë ekspozimi pasiv në duhanpirje ku me shumë se 50 për qind e fëmijëve të lindur kanë qenë të ekspozuar çdo ditë në tym të duhanit, qoftë prej prindërve të tyre, apo anëtarëve tjerë të familjes”, tha Uka.

Gjinekologia-obstetre, Jasmina Tolaj ka shpjeguar ndikimin e pirjes së duhanit nga gratë shtatzëna. Sipas doktoreshës Tolaj, theksoi se ndikimi i duhanit tek gratë shtatzëna është aq i madh, sa që ka pasoja shumë të mëdha, si për nënën ashtu edhe për fëmijën.

“Ju jeni të rinj dhe e keni në mëndje që do të martoheni dhe do të krijoni familje, ajo është e para dhe shumë e rëndësishme, prandaj një fillim i mbarë, një shtatzëni të mbarë është shume e rëndësishme. Faktor shumë i madh i rrezikut gjatë shtatzënisë dhe gjatë lindjes është duhani. Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë shkakton shumë ndryshime tek gruaja, por që përcillet edhe tek fëmija. Çka mund të përmendi së pari është se çdo nën që pinë duhan lind fëmijën para kohe, edhe mandej fëmija lind me peshë të vogël”, theksoi Tolaj.

Ndërsa, doktoresha e mjekësisë familjare, Florina Ushaku-Grezda, tha se pirja e duhanit tek të rinjtë është mjaftë i madh, derisa sipas saj, për të parandaluar këtë duhet trajtim qysh nga klasa e 5-të dhe të 6-të.

“Unë mendoj që edukimi shëndetësor tek popullata jonë duhet të filloj shumë herët dhe tash e kemi zbritur atë pragun kur po fillojmë me edukim. Në fillim kam filluar me klasat e 8-ta dhe 9-ta dhe e kam parë që me to duhet ndoshta me fol krejt diçka tjetër, dhe kemi zbritur tek klasën e 5-të dhe 6-të, aty ku janë hapat e parë. Qëllimi është prevenimi, parandalimi, e jo kur ata të kenë kaluar në shprehi, mirë është të flitet edhe atëherë të zvogëlohet mirëpo, më mirë të parandalohet që të mos fillohet me konsumimin e duhanit. Kështu që sfida ka, ka numër të madh të nxënësve, kemi nevojë për numër të madh të punëtorëve të cilët merren në mënyrë të njëtrajtshme me këtë problem”, u shpreh ajo.

Në parandalimin e duhanit institucionet qysh para katër viteve kanë miratuar ligjin kundër pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura. Për zbatimin e ligjit kundër duhanit, zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti tha se nëse shikojnë pas vitit 2013 ka shumë hapësirë për të përmirësuar, por nëse e shohin para vitit 2013, shihet se është përmirësime gjendja shumë.

“Nëse me pyes dikush se pse ligji ka pasur probleme shumë pa hezitim e them se këto temat politike, këto ndryshimet e shpeshta të pushtetit, ka ndikuar që vëmendja të bie pak dhe ai monitorimi i zbatimit të ligjit mos të jetë siç ka qenë. Unë nuk e pranoj asnjëherë faktin që numri i vogël i inspektorëve është arsye që ligji të mos zbatohet mirë. Mjafton që një inspektor gjatë javës t’i kryej nga dhjetë inspektime dhe gjatë këtyre inspektimeve të shqiptoj gjoba aty ku ka shkelje dhe menjëherë kishte me pas reagim ndryshe”, u shpreh Hoti.

Sipas Hotit, ajo që është impresive është rritja e përkrahjes se politikave antiduhan. Por, ai ka paraqitur si sfidë kryesore interferimin e industrisë së duhanit në këto politika, raporton KosovaPress.