Pa u bërë 24 orë nga vendimi i Gjykatës së Apelit e cila i konfirmon dënimin e shkallës së parë me anë së cilës dënohet me tri vjet burg, kryetari i deritanishëm i Drenasit Nexhat Demaku doli në një konferencë për media.
Para ndërtesës së komunës në të cilën ishte kryetar për gati shtatë vjet, tashmë ish-kryetari Demaku e bëri publike edhe zyrtarisht dorëheqjen e tij nga ky post.
Ai tha se vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me të si kryetar dhe me punën e tij gjatë kësaj periudhe.
“Dëshiroj t’iu njoftoj juve dhe t’i njoftoj qytetarët e komunës së Drenasit se nga sot unë e ofroj dorëheqjen time si kryetar i omunës dhe nuk do të vazhdoj të jem nga sot e tutje për vet faktin se tashmë është e njohur edh publikisht, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë për çka jemi akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1998. Sigurisht që ky vendim edhe i gjykatës por edhe vendimi që po e marrim sot nuk ka të bëjë me punën time si kryetar i komunës por ka të bëjë me një periudhë shumë të rëndësishme, një periudhë të lavdishme por jo vetëm për jetën tonë por ë gjithë Kosovën deh gjithë popullin e Kosovës”, tha Demaku.
Vendimin e Gjykatës ai e quajti absurd ndërsa tha se ata që duhet ta thonë të vërtetën e thanë të pavërtetën, gjë që sipas tij është një e keqe më e madhe se vet procesi.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me një gjyqësor por kemi të bëjmë me një mision që merr vendime për shkak se i gjithë grupi ‘Drenica II’ dhjetë persona dënohen me një dëshmitar mashtrues dhe ipen mbi 50 vite burg kur nuk kemi, absolutisht nuk akuzohemi se ka viktimë,. Ka raste por vetëm pse të gjitha akuzat bazohen mbi atë se gjoja që njëri prej dëshmitarëve ka qenë i rrahur me shuplaka dhe është vendim absurd të akuzohen dhjetë persona në grupin ‘Drenica II’, por nuk dua të paragjykoj edhe për grupin ‘Drenica I’”, tha Demaku.
Duke i falënderuar të gjithë qytetarët e Drenasit për mbështetje, Demaku tha se ndihet keq që nuk mundi të bëjë më shumë për qytetaret e tij.
“Unë dëshiroj me i falënderu edhe një herë të gjithë qytetarët. Realisht për mua ka qenë jo vetë përgjegjësi e madhe si kryetar i komunës, por edhe ka qenë një nder me udhëheq një komunë siç është komuna e Drenasit se janë qytetarët e mrekullueshëm dhe vetëm për një arsye ndihem keq që nuk kam mundur të bëjë më shumë për qytetarët, e meritojnë një kryetar më të mirë se që jam unë, kush do të vijë atëherë ata do ta zgjedhin me zgjedhjet që parashihen me afatin e paraparë me ligj”, u shpreh Demaku.
Ish kryetari i Drenasit tha se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore duke iu drejtuar Gjykatës Supreme për ligjshmërinë e vendimit si dhe tha se do të kërkoj pezullimin e ekzekutimit të vendimit deri në vendimin e Gjykatës Supreme.
Kundër këtij vendimi të Gjykatë së Apelit janë shprehur edhe disa nga qytetarët e Drenasit të intervistuar nga KosovaPress.
Brahim Karaxha nuk e beson që Demaku ka bërë veprat për të cilat është dënuar.
“Unë nuk di për të që ka bërë diçka, unë këtu prej juve po dëgjoj, deri tash nuk kam dëgjuar asgjë për të. Unë jam i këtuhit por jetoj në Fushë Kosovë, mirëpo unë nuk ka dëgjuar diçka për keq për të, nuk jam vetëm me fol me e mbrojt por nuk kam dëgjuar diçka keq për të, tash ky populli ynë gjithçka po bën, por nuk mund të them asgjë që ka bërë diçka ndonjë vepër të dobët, nuk di asgjë për të”, tha Karaxha.
Edhe qytetari Habib Lladrovci e ka kundërshtuar këtë vendim.
Ai ka thënë se edhe vet ka qenë pjesë e UCK-së duke u shprehur se nuk ka mundësi të ketë pasur krime nga Nexhat Demaku gjatë luftës.
“Na nuk kemi pas as mundësi me i zënë shkiet për me bo masakër një, e dyta rreth korrupsionit në mujshi me bë është më e mira, se nuk është rendi që kanë bërë këta krime, nuk ka pas mundësi se unë vet kam qenë në UÇK, vet kam qenë për armatim andej e këndej, nuk vjen në shprehje kjo kurrqysh, kaq unë mund të them”, tha Lladrovci.
Kurse Izet Berisha ka deklaruar se krimet, të cilat iu kanë mbështetur kryetarit të Drenasit dhe grupit të tij i ka bërë Serbia duke ua lënë qytetarëve të pafajshëm.
“Ne e vlerësojmë se kjo është e padrejtë, këto vetëm janë montime të Serbisë se këto nuk janë të vërteta asnjë, veç një grup i Serbisë i ka bërë këto krime dhe ua kanë lënë këtyre se nuk janë këto të drejta asnjë, kryetari është i mirë, ka qenë luftëtar i mirë, por krime nuk kanë bërë, veç janë këto montime janë”, tha Berisha.
Gjykata e Apelit dje e ka konfirmuar dënimin për të gjithë të akuzuarit në rastin Drenica II ku janë të përfshirë Sylejman Selimi, Isni Thaçi, Jahir, Zeqir, Fadil dhe Nexhat Demaku dhe Bashkim, Selman, Driton dhe Agim Demaj./KP