Drejtori i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka dhënë detaje rreth vrasjes së 34 vjeçarit, Abid Jashari që ndodhi të mërkurën në Prishtinë.
Qalaj ka pohuar se janë duke e kryer një hetim preliminar, pas raportimeve të familjarëve që i ndjeri ishte endur nëpër stacione policore. Mirëpo, sipas tij deri tani nuk ka shenja për shkelje të procedurave.
“Ne jemi duke e kryer një hetim preliminar në lidhje me rastin, edhe pse deri më tani nuk kemi ndonjë shenjë që ka pasur ndonjë shkelje të procedurave nga zyrtarët policor, hetimet janë duke vazhduar. Është fakt që tashmë i ndjeri ka kontaktuar me qendrën operative këtu në Prishtinë dhe ka informuar për një kërcënim që i ka bërë miku i tij nga shtetet e jashtme nga Zvicra, mirëpo zotëriu ka thirrur gjatë orëve të natës, meqenëse se kishte qenë punëtor i kazinosë dhe është udhëzuar nga zyrtarja që punon në qendrën e thirrjeve se si të veprojë”, ka thënë ai për Insajderin.
Drejtori i policisë ka thënë se viktima nuk kam mundur të vijë para përfundimit të orarit të punës së tij, në kazino për të raportuar rastin, pasi orarin e kishte deri në orën 04:00 të mëngjesit.
“Ai nuk ka mundur të vijë para përfundimit të orarit e që dëgjova sot kishte qenë ora 04:00 e mëngjesit. Ai i ka marrë të gjitha instruksionet për me ardhe me raportu rastin dhe me i kry gjitha procedurat konfrom rregullave që i kemi”, tha ai.
Vëllai i Abid Jasharit, Behari ka fajësuar policinë për neglizhencë ndaj këtij rasti. Ai ka thënë se vëllai i tij e ka lajmëruar rastin në polici mirëpo këta të fundit nuk kanë marrë masa pasi sipas tij nuk iu është dukur rast serioz.
Tutje, drejtori ka sqaruar se Abid Jashari të nesërmen ka ardhur në stacion ka raportuar rastin dhe ka përmendur se ka rrahur djalin e mikut të tij, Besnik Shkodra – 26 vjeçar, por kur ky i fundit është ftuar në stacion ka mohuar se ka pasur konflikt me Jasharin.
Theksojmë se Abid Jashari u vra dje, me dy plumba, rreth orës 11:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. Ngjarja ndodhi gjatë lëvizjes së tij me veturë në këtë rrugë të kryeqytetit. Dyshohet se një mosmarrëveshje, që babai i tre fëmijëve e kishte me familjen e gruas së tij, e çoi drejt vdekjes atë.