17 punëtorë të QKMF’së në Viti, përfshirë edhe drejtoreshën, po vazhdojnë që të qëndrojnë në vetizolim, meqenëse të njejtit kanë pasur kontakt me ambientin ku është trajtuar 77-vjeçari nga Vitia, i cili është i infektuar me koronavirus. Pavarësisht se testet e tyre kanë dalë negative, atyre iu duhet që të qëndrojnë edhe katër ditë në karantinë, raporton Express.
Për gjendjen e personelit shëndetësor ka dhënë detaje Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli.
“Gjendja e të gjithëve është e mirë. Asnjë prej nesh nuk ka pas ndonjë shqetësim. Por, po vazhdojmë të jemi në vetizolim, meqenëse duhet të zbatojmë rekomandimin e 14 ditëshit. Kemi me qëndru edhe 4 ditë”, ka thënë ajo për Express.
Kadolli ka treguar se do të qëndrojnë në shtëpitë ku janë vendosur edhe për katër ditë. Fillimisht, atyre komuna u kishte sjellë ushqim, por tash thotë se po përgatitin vetë.
Sipas saj, i vetmi që ende ushqehet nga autoritetet komunale është mjeku i cili e kishte kontrolluar fillimisht pacientin e parë me koronavirus.
“Në fillim na kanë sjellë ushqim komuna, pastaj pasi kemi shku nëpër shtëpia s’kemi pranu vet – përpos atij që është në QKMF që i dërgojnë. Ne komplet të tjerët s’kemi dashtë me na furnizu, pasi jetojnë afër shtëpive të tyre, në shtëpi private që kanë qenë të pabanuara (pronarët jashtë shtetit na i kanë lëshu shtëpitë e tyre), kurse disa janë në shtepitë e tyre në vetizolim”, ka thënë Kadolli.
Ndryshe, actualisht në gjithë vendin janë të infektuar 33 persona me COVID-19. Më 22 mars në Kosovë u konfirmua viktima e parë nga koronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.