Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se drejtësinë për Astrit Deharin duhet ta kërkojmë të gjithë, çdo ditë dhe në çdo forum.
Ai këtë thirrje e bëri në një shkrim të publikuar në Facebook, pas varrimit të Astrit Deharit, ku siç shkruan Ahmeti familja është ngushëlluar nga prezenca dhe mbështetja e bashkëqytetarëve të shumë, transmeton KosovaPress.
Postimi i Ahmetit:
Qindra qytetarë në marshin për Astritin, homazhet te teatri e posaqërisht në varrimin e tij sot. Shumica me lot në sy. Familja e ngushëlluar nga prezenca dhe mbështetja e bashkëqytetarëve. Shokët e shoqet e dërmuara por krenarë që e patën mik. Aktivistët në kujtesë të veprave të mira të Astritit. I tillë ishte, i qëndrueshëm, punëtor, solidar e mbi të gjitha i mirë. Vetëmohues. Drejtësinë për të duhet ta kërkojmë të gjithë, çdo ditë dhe në çdo forum. Për shkak të drejtësisë, për shkak te Astritit, për shkak te familjes, për shkak te shokëve e shoqeve aktiviste, për shkak të Kosovës e për shkak te kombit.