Aktuale

#Drejtësi për Zejnepen, kërkohet dënim maksimal për vrasësin

Fotografinë e saj e mban në dorë, ndërsa lotët nuk mund t’i ndal. Është e madhe dhimbja për humbjen e vajzës, por më e rëndë po i duket që personi që ia mori jetën të bijës është dënuar me pak vjet.

Salihe Bytyqi është nëna e Zejnepe Berishës, e cila u mbyt nga bashkëshorti i saj Nebih Berisha. Ky i fundit e kishte goditur 20 herë me thikë të ndjerën në prani edhe të fëmijëve.

Nebih Berisha u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Por dënimi prej 12 vitesh burg që iu dha këtij personi habiti shumë njerëz. Andaj sot në sheshin kryesor të Prishtinës është organizuar një protestë për të kundërshtuar këtë vendim të Gjykatës.

Në mesin e protestuesve ishte edhe nëna dhe motra e të ndjerës Zejnepe.

Nëna plakë e Zejnepes me lot në sy ka rrëfyer për jetën e rëndë që e bija ka kaluar për këto 16 vjet nga dhuna e burrit të saj.

Salihe Bytyqi tregoi se vajza e sa shpesh kishte ardhur tek ajo e përgjakur nga rrahjet që ia bënte burri i saj. Madje nëna e Zejnepes rrëfen se ajo kishte dashur të ndahet nga burri por që nuk e kishte bërë këtë për shkak të fëmijëve.

Madje Salihja tregon se dhëndri i saj ka shkuar edhe në shtëpi të gruas dhe i ka kërcënuar me sëpatë.                                              

“Tri herë më ka ardh e përgjakur e nuk e kam njoftë, edhe prapë u kthejke e shkojke shkaku i fëmijëve… Ai ka ardhur në shtëpinë time, e ka marrë sakicën, i ka thyer dyert dhe ka dashur të na mbys. Me gjithë vajzë kam qenë dhe e kam pasur edhe plakun. Plaku ka qenë i gjymtuar plak, ka qenë duke na mbytur së bashku me vajzë. Vajza e ka pasur edhe vajzën e madhe. Ne shumë kemi hequr prej tij, shumë kemi hequr”,  rrëfeu ajo.

Salihja tregon se Zejnepja shpesh është detyruar të strehohet në mal për të ikur nga dhuna e Nebihut.

 

“Ka dalë  në mal ka nejt, nuk ka guxu të rrijë në shpi  te unë. Ka dalë ka nejt  në mal deri në 12 të natës, me katër fëmijët, ai iu ka ardhur prapa. I ka thirrë në telefon ata nuk kanë guxuar të bëjnë zë. Shkonte nëpër kojshi.  Ia dhashë pastaj çelësat e shpisë teme,  i thash merri mori bijë çelësat e mos shko ta marrë vesh krejt bota. Ia kam dhënë çelësat e shpisë, ndërsa ditën e fundit që kam qenë mi ka dhanë çelësat. I thash përse moj Zejnep po m’i jep çelësat?… Boll tha i kam majt unë. E ka dit çka ka me gjet”, tregoi ajo duke qarë.

Në shoqëri të nënës së saj për të protestuar në Prishtinë kishte arhdur edhe e motra e Zejnepe Berishës.

Për Hajrie Thaçin, dënimi prej 12 vitesh që iu ka shqiptuar Nebih Berishës është shumë i vogël dhe si i tillë është i papranueshëm.

E motra e së ndjerës ka thënë se kanë qenë të ftuar në seancat ku është mbajtur gjykimi për vrasjen e motrës së saj por që asnjëherë nuk i kanë lejuar që të flasin.

Hajrie Thaçi thotë se dënimi meritor për vrasjen makabre të motrës së saj është dënimi me varje.

 

“Nuk e kemi pritur që kaq pak ia japin.. Më kanë thirrë edhe mua në seancë, më kanë çuar ftesë. Asnjëherë prokurori nuk më ka pyetur, as burrin, as mua. Nuk e pranojmë me kaq dënimin se ka bërë krim të madh. Edhe fëmija nuk e kanë pritur mirë. Nuk e kanë pritur t’ia japin kaq dënimin. Kanë menduar edhe ata që ia japin 20 vite e më shumë. 20 deri 25 vite ne të gjithë kemi menduar ashtu”, tha Hajrie Thaçi.

Protesta që kërkon dënim më të lartë për vrasësin e Zejnepe Berishës është organizuar nga Grupi i Rrjeteve të grave të Kosovës nuk ka zgjuar interesim të madh tek qytetarët.

Një numër i vogël i qytetarëve i janë bashkuar protestës që nisi në sheshin “Zahir Pajaziti.

Përfaqësuesja nga Rrjeti i Grave, Adelina Berisha, tha se për vepra të tilla dënimet janë edhe me burgim të përjetshëm, ndërkaq që Nuhi Berisha dënohet me vetëm 12 vjet burg.

Ajo tha se sot u marshua vetëm sa për të ngritur si çështje dënimin minimal të një burri që vrau bashkëshorten e tij në mënyrë të pamëshirshme ndërsa premtoi se do të ndihmojnë familjaret e Zejnepes në procedurat e mëtejme të ankimit të këtij vendimi.

 

“Sot, fatmirësisht erdhën familja e të ndjerës dhe i shkëmbyem kontaktet me ta… në mënyrë që me i asistu në të gjitha procedurat deri sa ta bëjnë ankimimin për rastin, do të thotë për dënimin e shqiptuar nga gjykata në Prizren…Gjithsesi do t’i ndihmojmë familjes duke e pasur parasyshë që fëmijët e të ndjerës janë të mitur dhe ata nuk mund të ngrehin padi kundër babait të tyre edhe pse kishin ankesa siç e cekën edhe familjarët e të ndjerës, prandaj, për këtë arsye duhet dikush tjetër ta ndërmarrë këtë nismë. Motrat e të ndjerës kanë kërkuar dhe duan që ky dënim të vihet prapë para drejtësisë dhe këtë do ta ndihmojmë ne”, tha Berisha.

Protestës së sotme të organizuar nga Rjeti i Grave i janë bashkuar gratë e akademisë për lidership në kuadër të NDI dhe USAID-it, organizata joqeveritare dhe shoqëria civile.

Zejnepe Berisha është vrarë më 23 tetor të vitit 2015 në shtëpinë e saj në Suharekë nga burri i saj Nebih Berisha.

Vrasja e Zejnepes është kryer në prani të vajzës së mitur, e cila edhe ajo është plagosur lehtë në këtë rast./KP