Shteti kosovar duket se po dorëzohet para debatit rreth heqjes së flamurit kombëtar që valon në rrethin e famshëm afër spitalit.
Kështu thonë nga Protokolli i shtetit që është në kuadër të Ministrisë së Jashtme, të cilët sqarojnë se janë dy opsione rreth çështjes së flamurit, shkruan gazetametro.net.
Drejtori i Protokollit, Orhan Hajrizi ka thënë se ekzistojnë dy opsione. I pari është vendosja e dy flamujve afër njëri-tjetrit, dhe tjetri që ka më shumë gjasë të ndodhë, është vendosja e flamurit shtetëror te rrethi që lidh rrugët magjistrale.
‘Janë dy opsione, opsioni i parë është vendosja e të dy flamujve në të njëjtin vend dhe opsioni tjetër, te rrethi tjetër, me gjasë më të madhe të ndodhë, te Banesat e Arabëve atje që lidhet magjistralja’, ka thënë Hajrizi.
Ndërkaq, ai ka konfirmuar se flamuri kombëtar do të vazhdojë të qëndroj në vendin ku është tash e sa vite.
‘Flamuri kombëtar nuk do të hiqet nga rrethi ku është por do të vendoset në rrethin tjetër edhe një flamur i shtetit të Kosovës, shumë shpejt’, ka thënë më herët për Express, Hajrizi.
Ndryshe, qe disa ditë po kërkohet heqja e flamurit kombëtar dhe vendosja e atij shtetëror në rrethin e famshëm që tani po quhet ‘rrethi i flamurit’. Por, kjo gjë hasi në rezistencë edhe të disa aktivistëve të VV’së por edhe shumë qytetarëve që kërkonin që flamuri kombëtar të mos largohet./gazetametro.net