Kryeministri Milo Gjukanoviq, i cili udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë dhe sapo fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare, do të dorëhiqet pas thuasje 3 dekadave në pushtet.
Në një komunikatë të Partisë Demokratike të Socialistëve shkruhet se, Gjukanoviq do të largohet nga pushteti pas 27 vitesh, pasi kjo forcë politike emëroi bashkëpunëtorin e tij të afërt, Dusko Markoviq, si pasardhësin e tij të mundshëm.
Ky lajmërim vjen pasi partia e Gjukanoviq fitoi zgjedhjet dhe pas disa muajsh spekulime për dorëheqjen e tij.
Largimi i tij pason edhe grushtin e shtetit, që sipas Gjukanoviq u organizua nga fuqi të huaja misterioze për të marrë pushtetin në Malin e Zi.
Partia DPS tha se, nëse do të sigurojë shumicën në Parlament, do të emërojë zëvendëskryeministrin Markoviq për të marrë kreun e qeverisë.
Zgjedhjet e 16 tetorit i dhanë partisë “DPS” fitoren dhe 356 vende në Parlament, por jo shumicën për të formuar qeverinë e vetme.
Disa media në Mal të Zi spekulojnë se Gjukanoviq mund të jetë edhe kusht i partnerëve të mundshëm të koalicionit të ardhshëm qeveritar.
Sidoqoftë, largimi i Gjukanoviq nga pushteti s’është asgjë e re, pasi ai e ka bërë këtë edhe dy herë në të shkuarën.
Por është kthyer sërish sepse, siç ka thënë vet, ishte e nevojshme politikisht. Këtë herë flitet se ai do të lërë të gjitha rolet shtetërore, por ka pasur opinione brenda partisë se mund të kandidojë si president në vitin 2018.
Gjukanoviq, tashmë 54-vjeçar, ka qenë në pushtet si kryeministër apo president që prej vitit 1991, kur ishte vetëm 29 vjeç.