Aktuale

Dorëheqja e Grabovcit nuk mjafton, sipas opinionistëve

Edhe katër ditë pas ofrimit të dorëheqjes së Adem Grabovcit nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, nuk ka ende asnjë qëndrim apo reagim nga kjo parti.

Ata nuk kanë treguar nëse e kanë pranuar ose jo dorëheqjen e Grabovcit nga kjo pozitë partiake, e as se kush do të mund ta zëvendësonte atë, duke thënë se për çdo gjë do të informoheni gjatë ditëve në vijim, raporton KTV.

Ndërsa këtë lëvizje të Grabovcit, opinionistët po e konsiderojnë si krejt të parëndësishme.

Faik Krasniqi thotë se nuk e kupton heshtjen e qytetarëve ndaj “kapësve të shtetit”, ashtu siç nuk e kupton “indiferencën e prokurorisë”, pasi sipas tij, po të publikoheshin këto përgjime në ndonjë vend tjetër, jo vetëm që do të tronditej skena politike, por do të kishte shkarkime e dorëheqje, dhe populli do të ngrihej kundër atij pushteti.

Ndërsa, oponionisti Imer Mushkolaj, ofrimin e dorëheqjes nga Grabovci, e konsideron “hedhje të hirit syve” dhe lojë të partisë së tij, pasi Grabovci dhe të tjerët, të përfshirë në përgjime, ende vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre.

Mushkolaj thotë se veprimet që dëgjohen në përgjime, Grabovci i ka bërë si “njeri i fortë i PDK-së”, në bashkëpunim me të tjerët, duke funksionuar si një “ndërmarrje politike kriminale” me qëllim të punësimit të të afërmeve, militantëve partiak dhe kapjes së shtetit.

Përderisa thotë se jo vetëm Grabovci, por edhe gjithë të përfshirët në këto përgjime duhet të japin përgjegjësi politike dhe penale.

Këtë po e kërkon edhe grupi i qytetarëve “Protestoj”, përderisa kërkojnë nga Prokuroria që t’i marrë parasysh përgjimet dhe të veprojë bazuar mbi to.

Ky grup kërkon edhe ndërrimin e përbërjes së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe monitorimin e procesit të përzgjedhjes së tyre nga ndërkombëtarët.

E, dorëheqjen e Grabovcit nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar si pranim të fajit për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit.

Ndërsa këtë dorëheqje e kanë konsideruar të pamjaftueshme, duke kërkuar dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe përgjegjësi penale. E po ashtu edhe dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.