Aktuale

Donika Kadaj bashkë me aktivistët e VV-së shkojnë te burgu ta lirojnë të dyshuarin për terrorizëm(Foto)

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi bashkë me Sekretarin organizativ Dardan Molliqaj dhe dhjetëra aktivistë kanë zhvilluar një aksion para Qendrës Korrektuese në Lipjan, ku po mbahet njëri nga gjashtë aktivistët e akuzuar për terrorizëm i cili dyshohet që është pjesë i sulmit ndaj Kuvendit, Atdhe Arifi.

Duke shfrytëzuar orarin e shëtitjes së mëngjesit të të burgosurve, nga ora 09:00 e mëngjesit, ata kanë mbajtur pranë rrethojave të burgut, një afishe me mbishkrimin: “Lironi të burgosurit politikë”, raporton KTV.

Aktivistët kanë thirrur në vazhdimësi emrin e Athdhe Arifit, ashtu që të mund të dëgjoheshin nga vetë ai, që supozohej se ishte duke shëtitur në oborrin e burgut.
Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj – Bujupi, në fjalën e saj ka kërkuar lirimin e Atdhe Arifit dhe të gjashtë aktivistëve të tjerë, për të cilët ajo tha se po mbahen në burg padrejtësisht.

Ndërsa, Sami Kurteshi i ka cilësuar burgosjet e aktivistëve si politike.

Ky aksion ka përfunduar i qetë dhe pa ndërhyrjen e policisë, pjesëtarë të së cilës e kanë përcjellë gjatë gjithë kohës atë.