Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk e paralajmëroi Londrën se “ose do të ketë Brexit të fortë ose nuk do të ketë fare” për Britaninë e Madhe.
Tusk edhe njëherë i porositi Qeverinë britanike dhe euroskeptikët e atjeshëm se BE-ja nuk do të bëjë kompromise rreth përcaktimit të saj se lëvizja e lirë e fuqisë punëtore do të jetë kusht për qasjen britanike drejt tregut të vetëm të BE-së.
Ndërsa, kryeministrja britanike, Tereza May, javën e kaluar deklaroi se Qeveria në Londër do të ngritë nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës, në mënyrë që të hapet procesi i ndarjes, deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.
Procesi negociues është paraparë të zgjasë dy vite dhe në atë periudhë do të duhet të zgjidhen disa çështje, mes të cilave edhe migrimi dhe tregu i vetëm.
Tusk e hodhi poshtë si tërësisht joreale, mundësinë që Britania t’i ruajë benefitet e tanishme tregtare, që i ka si anëtare e BE-së, e në të njëjtën kohë ta ndalojë lëvizjen e shtetasve evropianë dhe ta hedhë poshtë autoritetin e jurisprudencës së BE-së.
“Të gjithë që mendojnë ashtu në Britani, gabojnë plotësisht. Është e saktë vetëm ajo se nga Brexit humbim të gjithë. Në negocim nuk do të ketë mjaltë dhe qumësht në tryezë, por vetëm kripë dhe uthull”, porositi Donald Tusk.
Ai tha se si variant i mundshëm mbetet që Britania megjithatë të mendohet dhe të mbetet në Union, por se për këtë tashmë nuk beson askush.
Sipas kryetarit të Këshillit të Evropës, zgjedhja e fundit mbetet vetëm e britanikëve, rreth asaj se për çka do të përcaktohen dhe nëse ajo është në interes të vendit të tyre.
Në Londër tani për tani nuk ka reagim zyrtar ndaj paralajmërimeve të Tuskit, i cili do të kryesojë takimin e liderëve të BE-së, ku do të bëhet fjalë për ndarjen e Brukselit dhe Londrës.