Rajon & Botë

Donald Trump mohon të jetë nën hetim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, insiston të thotë se ai nuk është nën hetim nga FBI dhe se shkarkimi i kreut të saj, James Comey, ishte një vendim vetëm i tij.

Drejtori i FBI-së, James Comey, po drejtonte një hetim për ndërhyrjen e supozuar ruse dhe për bashkëpunim të mundshëm të zyrtarëve të stafit të Trump dhe Moskës.

Presidenti amerikan e ka hedhur poshtë këtë hetim, duke e cilësuar një maskaradë, por kjo u kundërshtua menjëherë nga pasuesi i Comey.

Në intervistën e parë, që nga shkarkimi i drejtorit të FBI-së, Trump tha se të martën kishte pyetur James Comey-n, nëse ishte nën hetim apo jo.

“I thashë, nëse është e mundur, më lejo të di, ‘A jam unë nën hetim?’ dhe ai mu përgjigj: Ti nuk je nën hetim”, tha Trump për NBC.

Gjithashtu, Trump tha se ish-drejtori i FBI-së është një njeri që kërkon të duket dhe se FBI-ja ka qenë në rrëmujë, ndaj vendosi ta “djegë” Comey-n.

FBI po hulumtonte lidhjet që ka mundur t’i ketë Kremlini në zgjedhje presidenciale në SHBA, ku besohet se kandidatja demokrate Hillary Clinton, u dëmtua mjaft shumë nga publikimi i emailave të saj, e për të cilën FBI hulumton për lidhje të mundshme të rusëve, që favorizonin Trump-in.