Aktuale

Doktori që synon Kuvendin për të përmirësuar sistemin e shëndetësisë

Pas 17 vitesh pune në shëndetësi, ai ka vendosur të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës me qëllim rritjen e cilësisë së sistemit shëndetësor.

Kandidati për deputet nga Nisma për Kosovën, Muharrem Kuçi, ka ardhur nga Zvicra për t’u bërë pjesë e politikës në mënyrë që të jap gjithë potencialin e tij profesional në Kosovë.

Doktori nga Junikut ka gati dy dekada që punon në Zvicër, duke dhënë kontributin e tij në sistemin shëndetësor atje, ndërsa thotë se ka ardhur koha që puna e tij e njohur ndërkombëtarisht, të shtrihet edhe në Kosovë.

Përndryshe, ai ka kryer specializimin në tri fusha: mjekësi interne, anestiziologji dhe intenziv për të vazhduar më pas edhe me menaxhmentin mjekësor në Gjermani.

Kuçi ka treguar për KosovaPress, se është politika ajo që i mundëson atij çasje më të lehtë në sistemin e shëndetësisë për të dhënë gjithë kapacitetin e tij intelektual në Kosovë.

“Unë atje kam shkuar në një konkurrencë shumë të fortë në Zvicër dhe si i huaj kam arritur të depërtoj dhe socializohem në ato tri fusha dhe me qenë njeri shumë i pranueshëm ku deri në vitin 2014 kam qenë në sektorin publik në fushat që i përmenda. Prej vitit 2014 e tutje jam në një klinikë private e cila ka adresë dhe quhet ‘Hirslanden Group’ dhe aty unë vazhdoj të punoj deri të më ipet mundësia që të kontribuojë në ndërtimin e sistemit shëndetësor. E kam parë të arsyeshme të konkurrojë politikisht sepse nuk mjafton të jesh vetëm ekspert i mirë, të jesh i ftuar, por të kesh mbështetjen e elektoratit është një fuqi shtesë që të jep guxim dhe kurajo si dhe të bënë të ndihesh më mirë dhe më përgjegjës për të dhënë kontributin në këtë fushë e cila siç po shihet tash e 17 vite nuk është zhvilluar dhe nuk është perfeksionuar ashtu siç duhet të funksionojà « sistemi shëndetësor”, thotë Kuçi.

Kuçi është i bindur se kombinimi i mirë i lëmive që ai ka studiuar dhe përvoja e tij shumëvjeçare në shëndetësi, janë ato që e bëjnë atë kandidat të denjë për deputet.

Meqenëse ka specializuar dhe vazhdon të punojë jashtë, ai thotë se duhet marrë shembull Zvicrën dhe Gjermaninë si model për sistemin e shëndetësisë.

Ajo që e bën të veçantë doktorin është edhe qasja reale që ai ka ndaj gjendjes aktuale në Kosovë. Ai për këtë thotë se sistemi shëndetësor është një proces kompleks i cili kërkon konsensus kombëtar.

Në të gjitha vendet e zhvilluara, në Zvicër dhe Gjermani, çdo reformë që është ndërmarrë në shëndetësi, është ndërmarrë nga një koncensus i plotë që është vazhduar… E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Kosovë. Unë jam i vetëdijshëm që subjekti im është i vogël, por ka ekspertë të mirë, duke nisur me mua, që kërkojnë konsensusin me grupin e koalicionit. Po pretendojmë që jemi koalicioni më i madh që do të dal fitues, për ta kërkuar konsensusin në kuadër të koalicionit e pastaj edhe në kuadër të partive të tjera për të ndryshuar ato ligje, për të përshtatur ligjin që implementohet për të pasur sukses, e jo qeveria e ardhshme për ta hedhë e për të filluar prapë nga zero. Kështu nuk funksionon në sistemin shëndetësor modern”, thotë Kuçi .

Nga ulësja e deputetit, Kuçi zotohet se do të jap maksimumin e tij në njërën prej sferave që lë shumë për të dëshiruar në Kosovë, siç është shëndetësia.

Mosfunksionimin e implementimit të ligjit për sigurimet shëndetësore, Kuçi ia faturon institucioneve përgjegjëse të vendit, të cilat sipas tij nuk kanë ndërmarrë hapa konkret për të realizuar premtimet e tyre.

Madje, kandidati për deputet thotë se mbledhja e premiumeve është shtyrë pikërisht për shkak të mospërpilimit të mirë të planit për implementim.

Ai zotohet se me ta, shërbimet shëndetësore do të ipen qysh nga dita e parë e pagesës së premiumeve.

“Unë, me atë ekspertizën që kam, dhe me analizën që i kam bërë këtij ligji them se ai ligj nuk është i implementueshëm në atë mënyrë. Andaj, po kërkojë mbështetjen që unë me ekspertët që më përkrahin këtu dhe jashtë, të gjitha subjekteve, që implementimin e atij ligji ta bëjmë si duhet, 7’48” me buxhet të mjaftueshëm, me mbledhjen e premiumeve nga dita e parë dhe dhënien e shërbimeve nga dita e parë, e jo siç po propagandohet të mblidhen premiumet e dhënia e shërbimeve të bëhet pas gjashtë muajsh. Kjo nuk është e realizueshme dhe nuk është edhe në aspektin human e njerëzor. Edhe me juridik nuk është e mundshme, sepse ju nuk mund të mblidhni para nga qytetari dhe të mos ofroni minimumin e shërbimeve për të cilat ju po mbledhni premium”, thotë kandidati për deputet.

Ai tha se në kuadër të implementimit të këtij ligji, duhet të ndryshohen edhe disa nene të ligjit për shëndetësi sepse ndryshe, pas 6 muajsh prove do të konstatohet se ky ligj nuk është i implementueshëm.

Megjithatë, Kuçi u shpreh se Kosova ka potencial dhe kuadro të mjaftueshëm dhe në momentin që njerëzit profesionit do ta kenë hapësirën e duhur për të vepruar, ndryshimet pozitive do të jenë të menjëhershme.

Krejt në fund, Kuçi, anëtar i kryesisë në Nisma dhe sekretar për shëndetësinë, tha se personalisht ndjehet i përmbushur, por është pikërisht nevoja për të ndryshuar vendin ajo që e bënë t’i qaset rrugëtimit për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Muharrem Kuçi është kandidat i koalicionit PDK-AAK-NISMA në legjislaturën e ardhshme dhe mban numrin 46. /KP