Visar Sutaj në emër të koalicionit të DnV-së, i cili monitoron Drenasin, tha se 10 mijë e 691 votues kanë votuar deri në orën 13:00, në komunën e Drenasit.
Ai tha se janë evidentuar 67 raste të parregullta, ku qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve.
Sipas tij, janë evidentuar 54 raste të votimit familjar.
“Deri në orën 13:00, ashtu siç është e prezantuar në grafikonin para jush, shohim që përafërsisht ka pas 20,34 përqind pjesëmarrje të votuesve të komunës së Drenasit. Gjithsej 10 mijë e 691 votues, kanë votuar deri në orën 13:00. Disa prej parregullsive kryesore është që problemi më i përsëritur, që ne e kemi identifikuar është mos saktësia e listës së votuesve. Deri më tani janë evidentuar 67 raste, kur votuesit nuk kanë gjetur emrin e tyre në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar. Një problem tjetër që është shfaq gjatë procesit zgjedhor në komunën e Drenasit është raste të fotografimit të votës, në Gllogoc, në shkollën ‘Halil Bajraktari’, ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është identifikuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të merret me raste të tilla”, tha Sutaj.

Sutaj tha se problemi tjetër është se janë paraqitur tre raste të asistimit të të njëjtit person, të cilat janë vërejtur deri në orën 13:00. Në katër vendvotime, vëzhguesit janë ulur mbrapa komisionerëve, gjë që sipas tij është në kundërshtim me vendimin e KQZ-së.
“Një problem tjetër që është shfaqur gjatë procesit zgjedhor ne Drenas, është rasti kur ka asistim të votuesve disa herë nga i njëjti person. Këtu kemi tri raste në total, kur i njëjti person që ka asistuar njëherë në vendvotime në Gllanasellë, në shkollën ‘Xhevë Lladrovci’, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim, nga një anëtar i … ka asistuar edhe një qytetar në vendvotim. Është raportuar që në katër vendvotime, që vëzhguesit nuk janë ulur mbrapa komisionerëve, për të përcjellur procesin e vendvotimit. Gjë që kundërshton punën e tyre dhe është në kundërshtim me vendimin e KQZ-së…Në qendrën e votimit në Nekovc në shkollën e ‘Bajram Currit’, janë shtuar rastet e tentimeve për votim të dyfishtë. Një grup prej 5 personash kanë tentuar të votojnë përkundër identifikimit të spray-it në duart e tyre…Ky t entim i dyfishtë është një lloj tendence nga partitë politike të ndikojnë tek votuesti e tyre, që të sigurojnë vota sa më shumë dhe në këtë mënyrë të rrisin fitoren zgjedhore”, tha Sutaj.
Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim thekson se ka ripërsëritje të parregullsive njëjtë sikur në raundin e parë të zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë ky koalicion, inkurajon qytetarët të dalin në votime./kp